Lidhje

Zgjedhjet në Turqi, dëshirë për stabilitet jo mbështetje për islamistët


Zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Turqi mbajtën në pushtet një parti islamiste, por duket se votimet ishin jo aq shumë një distancim nga qeverisja laike, sesa një dëshirë për stabilitet ekonomik. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, fitoi afro 47 për qind të votave dhe të paktën 340 vende në parlamentin me 550 vende. Por ky numër nuk i arrin dy të tretat e votave të nevojshme për të zgjedhur një president pa mbështetjen e opozitës dhe votimi për presidentin mund të rizgjojë tensionet politike në javët e ardhshme.

Turqia e konsideron veten si një urë mes Evropës dhe Azisë. Në ngushticën e Bosforit, njerëzit qarkullojnë lirisht nga një kontinent në tjetrin. Por ndryshimet politike nuk janë edhe aq të thjeshta. Zgjedhjet kaluan pa probleme, por fushata ishte e nxehtë dhe shpesh e tensionuar dhe nxorri në pah ndasitë në shoqëri: ndarjet mes fetarëve dhe laikëve, tradicionales dhe modernes.

Në thelb të mosmarrëveshjeve është identiteti i Turqisë dhe themelet e saj si një shtet modern dhe laik. Veprimtarja politike Idil Uzel është një laik i palëkundur.

“Nuk besoj se vërtet ka një çarje në mes të shoqërisë turke, por mendoj se qeveria e AKP-së përbën një kërcënim të vërtetë ndaj sistemit laik”.

Mbrojtësit e shtetit laik si Uzeli kanë përqafuar doktrinën kemaliste: ata duan që Turqia të ndjekë rrugën e hapur nga themeluesi i vendit Mustafa Kemal Ataturk që këmbëngulte për një ndarje të prerë mes fesë dhe shtetit.

Komentatori politik Mustafa Akyol nuk beson se një rol më i madh i fesë kërcënon parimet e Ataturkut.

“Ataturku ishte një udhëheqës i madh që bëri reforma të rëndësishme. Tani ne jetojmë në një kohë tjetër, një kohë kur liria individuale, pluralizmi dhe demokracia janë kthyer në vlerat reale globale dhe mendoj se duhet t’u përshtatemi këtyre vlerave”.

Zehra Taskesenlioglu ka të njëjtin mendim. Ajo e konsideron veten një myslimane moderne.

"Unë gjithnjë kam ndjekur parimet e Ataturkut, sepse Ataturku thotë se gratë duhet të studiojnë në universitete. Unë kam mbaruar dy fakultete. Si mund të thotë dikush që nuk ndjek parimet e tij?”

Ataturku mbetet një figurë e nderuar. Askush nuk flet publikisht kundër tij. Me rezultatet zgjedhore, votuesit nuk treguan ndonjë frikë se mos AKP-ja imponon besimet fetare të udhëheqësve të saj. Zgjedhësit në fakt votuan në bazë të premtimit të AKP-së për stabilitet ekonomik, më shumë investime të huaja dhe për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Megjithëse udhëheqësit e AKP-së kanë premtuar se nuk kanë ndër mend ta kthejnë Turqinë në një shtet islamik, mosmarrëveshjet e thella politike nuk janë zhdukur dhe mund të rishfaqen javët e ardhshme.

Zgjedhja e presidentit do të jetë prova e parë e parlamentit të ri, thotë eksperti i shkencave politike Ali Carkoglu.

"Nëse elita parlamentare nuk arrin të bashkëpunojnë për kërë çështje të parë, ka mundësi që të kemi zgjedhje të reja, por shanset që kjo të ndodhë janë shumë të pakta”.

Duket se asnjëra nga partitë nuk do që të mbahen zgjedhje të reja dhe të rrezikojë zemërimin e votuesve që kërkojnë stabilitet. Pavarësisht nga fitorja, AKP-ja nuk i ka dy të tretat e nevojshme në parlament për të zgjedhur presidentin. Kështuqë do t’i duhet të bashkëpunojë dhe të bëjë kompromise. Dhe mesa duket kështu ishte edhe dëshira e popullit turk.

XS
SM
MD
LG