Lidhje

SHBA: Thirrje kandidatëve për president për një angazhim të ri global


Një grup ish zyrtarësh të lartë politikë dhe ushtarakë nga të dy krahët e politikës në Shtetet e Bashkuara, i bëri thirrje kandidatëve për president të ndjekin një qëndrim të ri për angazhimin e Shteteve të Bashkuara në botë. Në një deklaratë të lëshuar nga Qendra për Angazhimin Global të Shteteve të Bashkuara, ish zyrtarët e lartë thonë se Amerika duhet të investojë më shumë në diplomaci dhe në programet e zhvillimit, për të nxitur stabilitetin dhe begatinë.

Mbi 10 ish zyrtarë të lartë, përfshirë sekretarë shteti dhe të mbrojtjes, përmes një deklarate të lëshuar këtë javë, u bëjnë thirrje kandidatëve presidencialë të shtojnë investimet për zhvillimin ndërkombëtar dhe demokracinë.

Ish Sekretarja e Shtetit në administratën e Presidentit Klinton, Madeleine Albright, thotë se presidenti i ardhshëm do të ketë një detyrë të vështirë.

“Presidenti i ardhshëm duhet t’i rikthejë Amerikës besueshmërinë dhe të rivendosë rolin e saj udhëheqës. Përballimi i kësaj sfide kërkon së pari të kuptohet që në botë ka një “të keqe” që nuk mund të tolerohet, por që duhet luftuar e mundur.”

E keqja”, thotë zonja Albright, nuk vjen domosdoshmërisht në formën e një armiku të armatosur. Duke mbajtur ushtrinë të fortë dhe të gatshme në çdo moment, Shtetet e Bashkuara, thotë ajo, duhet të riorganizojnë programet e zhvillimit dhe ndihmat e huaja për të përballuar sfidat e shekullit të 21-të.

“Ne besojmë se Amerika duhet të fillojë të funksionojë me gjithë potencialin e saj, jo vetëm me forcën, por edhe me drejtësinë, duke kombinuar nxitjen e demokracisë, diplomacisë, paqes, begatisë dhe forcimit të shtetit ligjor, me fitoren ndaj aksit të së keqes, që është varfëria, injoranca dhe sëmundjet.”

Ish Sekretari i Sigurimit Kombëtar Tom Rixh tha se interesat kombëtare të Amerikës mbrohen më mirë duke ndihmuar vendet e tjera të bëhen partnerë më të fortë e më të begatë.

“Ne nuk mund të mbështetemi vetëm tek forca për sigurinë e Amerikës. Dhe pa dyshim që këtë nuk mund ta bëjmë vetëm. Sot bota është globale, ne jemi të gjithë të varur e ndërvarur nga njeri tjetri, me më shumë fije se sa çmendonim qoftë edhe 20 vjet më parë.”

Për buxhetin e vitit 2008, administrata e Presidentit Bush ka parashikuar 16,4 përqind të buxhetit për mbrojtjen dhe 1,2 përqind për marrëdhëniet ndërkombëtare, ku përfshihet diplomacia dhe ndihmat e huaja. Ish Sekretari amerikan i Mbrojtes Frank Carlucci thotë se buxheti kërkon një balancim më të drejtë.

“Programet e zhvillimit nuk janë humbje fondesh. Është në interesin tonë të kemi partnerë të fortë politikë, diplomatikë dhe tregëtarë në botë.”

Por a është taksapaguesi amerikan i gatshëm të shtojë angazhimin e tij për zgjidhjen e problemeve globale? Tom Rixh, thotë se PO.

“Një udhëheqje e fortë presidenciale mund ta bëjë këtë. Udhëheqja e Kongresit, duke mbështetur një president të motivuar e frymëzuar për të edukuar publikun lidhur me marrëdhëniet tona me botën, mund ta bëjë këtë.”

Qendra për Angazhimin Global të Shteteve të Bashkuara është një koalicion i gjerë me politikanë të të dy krahëve, organizata jo-qeveritare, grupe biznesi dhe agjenci zhvillimi. Synimi i saj është të ndërgjegjësojë publikun për interesat e Amerikës për të ndërtuar një botë më të mirë e më të sigurtë.

XS
SM
MD
LG