Lidhje

Presidenti Bush, thirrje Kongresit të modernizojë ligjin mbi survejimin e të dyshuarve si terroristë

  • Uilliam Ajd
  • Uashington

Presidenti Bush po i bën thirrje Kongresit që, pa humbur kohë, t’i bëjë një amendament ligjit të survejimit të huaj, për të cilin ai thotë se “është tepër i vjetëruar”. Zoti Bush thotë, se në një kohë, kur është shtuar shumë gatishmëria për parandalimin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara, profesionistëve të fushës së zbulimit u nevojitet një ligj më modern, që do t’i ndihmonte ata të vlerësonin me efektshmëri kërcënimet e mundshme terroriste.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit ta modernizijë Aktin e Survejimit të Zbulimit të Huaj, apo siç njihet shkurtimisht, FISA. Presidenti u kërkoi ligjvënësve t’i bëjnë ndryshimet nevojshme këtij ligji para fillimit të pushimeve verore në gusht. Ai tha se problemi kyç është se ligji për FISA-n u shkruajt 30 vjet më parë dhe se ai duhet rishikuar dhe modernizuar, që të trajtojë më mirë problemet e zbulimit, në kushtet kur terroristët përdorin teknologji moderne.

"Komuniteti ynë i zbulimit paralajmëron, se me gjendjen e tanishme, ne po humbasim një sasi të konsiderueshme të informacioneve të zbulimit të huaj, që në fakt na duhen për të mbrojtur vendin tonë. Kongresi duhet të veprojë menjëherë, për miratimin e ligjit të ri, në mënyrë që punonjësit tanë profesionistë në Këshillit të Sigurimit Kombëtar, të mund t’i rekuperojnë të metat në fushën e zbulimit dhe të arrijnë të bëjnë paralajmërimet për raste emergjente në kohë",- tha Presidenti.

Zoti Bush tha se ligji i propozuar prej tij, është produkt i muajve të tërë diskutimesh me anëtarë të të dyja partive në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Në të përfshihen propozime, që do t’i lejonin kompanitë e telekomunikacionit të bashkëpunojnë më tepër me qeverinë në grumbullimin e informacioneve.

"Sot ne ndeshemi me terroristë të sofistikuar, të cilët përdorin telefona celularë me një përdorim të vetëm, si dhe internetin për të komunikuar me njëri tjetrin, ata rekrutojnë operativë dhe planifikojnë sulme ndaj vendit tonë. Të tilla teknologji nuk ekzistonin kur u miratua ligji i FIFA-s 30 vjet më parë dhe shërbimi i zbulimit bë vendin tonë nuk i është përshtatur zhvillimit të teknologjive të reja", - tha Presidenti.

Në ligjin e ri përfshihen po ashtu edhe disa ndryshime, që do ta lejonin qeverinë amerikane të grumbullonte të dhëna zbulimi për persona të huaj në vende të huaja, pa siguruar më parë urdhër gjykate.

Presidenti Bush i kërkon këto amendamente të ligjit të zbulimit, pas një debati të nxehtë dhe të gjatë që u zhvillua këtu në Shtetet e Bashkuara lidhur me përgjimin e mëparshëm të administratës Bush ndaj personave të dyshuar si terroristë.

Pak pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, zoti Bush autorizoi Agjencinë e Sigurimit Kombëtar, të përgjojë, pa urdhër gjykate telefonatat mes njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe personave të dyshuar si terroristë jashtë vendit, edhe pse me ligj për të përgjuar njerëzit kërkohet më parë urdhëri i gjykatës.

Administrata e Presidentit Bush tha në atë kohë, se e kishte autoritetin për aktivitetin e vëzhgimit të njerëzve pa lejen e gjykatës, për shkak të fuqisë speciale që i jepte Kongresi, pas sulmeve të 11 shtatorit. Adminstrata tha se regjistrimi i bisedave telefonike ishte i nevojshëm, për t’u ndihmuar Shteteve të Bashkuara të merrnin masa të menjëhershme për parandalimin e sulmeve terroriste. Në fillim të këtij viti, Presidenti Bush e vuri përsëri programin e përgjimit nën autoritetin e FISA-s dhe gjykatave sekrete, speciale.

Mbrojtësit e të drejtave civile e kanë kritikuar me forcë programin e mëparshëm të përgjimit të individëve pa urdhër gjykate dhe i kritikojnë propozimet e reja të Presidentit, duke thënë se ato do të shkelnin të drejtat e amerikanëve.

...Ndërsa udhëheqësit demokratë të Kongresit thonë se po përgatiten për të evidentuar disa pika të dobëta të sistemit të zbulimit dhe se do t’i bëjnë ndryshime ligjit, në se ato do të jenë “të nevojshme”, sipas fjalëve të tyre. Por, ligjvënësit demokratë kanë ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me zgjerimin e fuqive të survejimit të individëve nga ana e qeverisë.//lk

XS
SM
MD
LG