Lidhje

Ekspertët të shqetësuar për rrugën drejt pavarësisë së Kosovës


Pas tërheqjes së projekt-rezolutës për Kosovën nga Këshilli i Sigurimit për shkak të kërcënimin me veto nga Rusia, ekspertët e Ballkanit kanë filluar të shqyrtojnë skenaret e ndryshme për të ardhmen e Kosovës. Mendimet janë të ndryshme që nga kthimi përsëri tek Këshilli i Sigurimit, e deri tek shpallja e njëanëshme e pavarësisë dhe njohja si shtet nga komuniteti ndërkombëtar. Pas një diskutimi në Institutin Amerikan të Paqes, analistët komentuan për Zërin e Amerikës lidhur me zhvillimet e fundit.

Ashtu si ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, edhe zgjidhja e statusit mund të ndjekë rrugë të parrahura nga diplomacia të paktën që pas krijimit të mekanizmit të Kombeve të Bashkuara.

Pas dështimit për paraqitjen e rezolutës në OKB, është krijuar një mjegull paqartësie në lidhje me hapat e ardhshme të diplomacisë. Ekspertët nuk vënë në dyshim vullnetin amerikan, por shohin vështirësi për zbatimin në praktikë. Profesori i Fakultetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan, Paul Williams, thotë se statusi përfundimtar po hyn në një fazë “konflikti të ngrirë” , që mund të zgjasë shumë.

“Shqetësimi im është se nuk është e qartë nëse amerikanët kanë një plan, apo edhe mundësinë për të siguruar pavarësinë e Kosovës”.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara e kanë të qartë se ç’duan të arrijnë. Pyetja që shtrohet është: a kanë një strategji të qartë? Ky është problemi, tani që diskutimet kanë kaluar nga Këshilli i Sigurimit tek Grupi i Kontaktit”, thotë Janusz Bugajski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ai shton se Kosova është vetëm një armë e vlefshme strategjike për Rusinë e cila nga njëra anë e shkel kartën e OKB-së e nga ana tjetër flet për legjitimitet, por Stanley Kober i Institutit Cato në Washington mendon se rreziku i veprimit jashtë OKB-së është real.

“Mendoj se nuk duhet hequr dorë nga procedura e të punuarit brenda Këshillit të Sigurimit, sepse në të kundërt pasojat do të ishin shumë negative. Vendet e tjera mund të ngrihen dhe të kundërshtojnë nëse nuk ndiqen procedurat ekzistuese ligjore”.

Duke pasur parasysh zemërimin e shkaktuar nga ndërhyrja në Irak pa mbështetjen e OKB-së, Shtetet e Bashkuara nuk duket se janë shumë të prirura për të vepruar në mënyrë të njëanshme, por nga ana tjetër Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs është shprehur se Kosova do të jetë e e pavarur në një mënyrë a në një tjetër. Profesor Williams nuk sheh ndonjë pengesë ligjore për këtë synim.

“Argumenti se nuk ka bazë ligjore për pavarësinë e Kosovës është i rremë. Juristët e Departamentit të Shtetit, ata të kryeqyteteve evropiane mund të ofrojnë një bazë shumë të qartë ligjore për pavarësinë. Nuk është çështje ligjore, por vullneti politik”.

Dhe Bugajski ofron një rrugë për realizimin e saj. Ai thotë se Kosova duhet të vazhdojë punën për zbatimin e planit Ahtisaari, në bashkëpunim të ngushtë me perëndimin.

“Të fillojë përgatitjet për një referendum për shpalljen e pavarësisë, për njohje ndërkombëtare. Sigurisht që kjo duhet bërë në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë ndërkombëtare”.

Profesor Williams thotë se megjithëse amerikanët dhe evropianët duhet të jenë shumë agresivë me rusët, udhëheqja e Kosovës duhet të jetë shumë më këmbëngulëse.

“Nuk e kam fjalën për një shpallje të njëanshme të pavarësisë, por nga ana tjetër udhëheqja kosovare nuk mundet thjesht të presë duarkryq që Amerika t’i japë pavarësinë”.

Për momentin mbetet e paqartë se çfarë hapash do të ndërmerren, por Bugajski thotë se gjendja aktuale nuk mund të zgjasë shumë:

“Herët a vonë ne duhet të vendosim se ç’do të bëjmë: A do të veprojmë jashtë Këshillit të Sigurimit, apo do të lejojmë Kremlinin që të vërë veton ndaj politikës së Këshillit të Sigurimit”. //kk//

XS
SM
MD
LG