Lidhje

Firmat kineze u nënshtrohen kontrolleve për mallrat që eksportojnë


Kompanitë kineze po u nënshtrohen kontrolleve të rrepta pas njoftimeve se disa produkte kineze kanë rrezikuar shëndetin e njerëzve në vendet ku janë eksportuar. Në Panama, zyrtarët po përpiqen të kuptojnë se si një kimikat toksik i prodhuar në Kinë u përzje me një shurup kolle duke shkaktuar vitin e kaluar vdekjen e mbi 100 vetëve. Kina ka mohuar se është bërë ndonjë gabim. Mirëpo familjet e viktimave në Panama kërkojnë që firma kineze të mbajë mbi vete një pjesë të fajit:

Etiketa “Made in China” ka filluar të shihet si sinjal rreziku për disa importues në mbarë botën. Këtë vit, shqetësimet për rrezikun shëndetësor nga disa eksporte kineze kanë bërë të hiqen nga tregu disa ushqime për kafshë shtëpiake, lojra për fëmijë dhe goma për makina në Amerikë dhe vende të tjera.

Në Panama, zyrtarët ende nuk kanë një numër të saktë të viktimave që vdiqën nga shurupi i kollës i përzier me lëndë toksike. Hetuesit thonë se një firmë lokale e përgatiti formulën e shurupit duke e përzier me një tretës të lirë të quajtur Glikol Dietilen, të shitur nën etiketën e produktit më të shtrenjtë, glicerinës.

Specialisti i sëmundjeve ngjitëse, Dr. Nestor Sosa, ka vizituar një numër pacientësh që pësuan bllokim veshkash pasi pinë këtë shurup.

“Ka një rrezik të lartë vdekshmërie. Në rastin e pacientëve tanë – mbi 50 për qind e tyre vdiqën. Kjo varej edhe nga sasia e shurupit që kishin pirë dhe kujdesi mjekësor që kishin marrë më pas”.

Një nga personat e prekur ishte Karlos Umanzor, një punëtor në Kanalin e Panamasë. Ai vdiq 6 javë pasi piu për herë të parë shurupin. E veja e tij, Lediana, thotë se kompania kineze që prodhoi kimikatin Glikol Dietilen është pjesërisht fajtore për vdekjen e tij:

“Një zinxhir ngjarjesh çuan në vdekjen e tij. Nuk e kuptoj se si një produkt helmues është etiketuar si diçka tjetër dhe askush nuk e ka inspektuar”.

Kina ka mohuar se ka pasur rol në këto vdekje duke thënë se ia kishte shitur produktin me etiketën e duhur një kompanie spanjolle, e cila e kishte dërguar më pas në Panama. Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang foli lidhur me një numër incidentesh shqetësuese për sigurinë e produkteve kineze:

“Mendoj se përmes përpjekjeve tona të vazhdueshme, produktet kineze do të zënë vendin e tyre në tregun ndërkombëtar. Produktet kineze nuk duhet t’i shqetësojnë konsumatorët, pasi janë të një cilësie të lartë dhe me çmime të ulëta”.

Nuk është e qartë nëse qeveria panameze do të kërkojë ndëshkime ndaj kompanisë kineze. Carlos Carillo, avokat për Ministrin e Shëndetësisë në Panama, thotë se buja që ka bërë ky incident e ka dëmtuar reputacionin e Kinës:

“Ky rast shërben si paralajmërim për produktet e tjera që vijnë nga Kina apo ndonjë vend tjetër. Pas këtij incidenti kemi zbuluar produkte të tjera problematike”.

Në fillim të këtij viti, zyrtarët në Shtetet e Bashkuara, Panamaja dhe vende të tjera tërhoqën nga tregu disa dërgesa me pastë dhëmbësh të prodhimit kinez që ishte përzier me kimikatin Glikol Dietilen. Alarmin në Panama e dha një konsumator, i cili e pa emrin e substancës mbi tubetin e pastës, shpjegon Dr. Sosa:

“U zbulua pasi publiku ishte informuar për rrezikun. Konsumatori vetë lexoi emrin e substancës në tubet dhe u alarmua. Ndoshta në një vend tjetër konsumatorët do të kishin menduar se ishte një përbërës normal”.

Kjo substancë toksike fajësohet për dhjetëra vdekje nga helmimi gjatë viteve të fundit, përfshirë në Haiti dhe Bangladesh. Ekspertët thonë se parametrat aktuale të sigurisë mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar incidente të tjera nga kimikate të ngjashme. //ii

XS
SM
MD
LG