Lidhje

Një anije spital e marinës, mision humanitar në Amerikën Latine


Një anije spital e marinës amerikane ka ndërmarrë një mision humanitar që përfshin ndalesa në 12 vende të Amerikës Latine. Ekuipazhi i anijes Comfort shpreson të vizitojë 85 mijë vetë në komunitete ku kujdesi mjekësor është i pakët ose tepër i shtrenjtë për shumë banorë.

Spitali lundrues është i madh thuajse sa një aeroplanmbajtëse dhe permban pajisje që krahasohen me ato të disa spitaleve të mëdhenj në tokë. Në fillim të luftës në Iraq, komanda e marinës e dislokoi anijen spital Comfort pranë Gjirit Persik për të siguruar kujdes mjekësor për trupat amerikane dhe civilët irakianë të plagosur në konflikt. Por misioni i tanishëm i kësaj anije do të përqëndrohet në ndihmën për civilë që kanë pak mundësi apo pak kushte për kujdes mjekësor në 12 vende të Amerikës latine.

Ndalesa e parë e anijes spital Comfort është Belize, ku personeli mjekësor i anijes duhet të bëhet gati për një seri situatash mejkësore, thotë togerja Tracey Kunkel, infermiere.

“Ne do të kryejmë një operacion plastik, një sërë vizitash, dhe gjëra të tjera të kësaj natyre”.

Anija ka një ekuipazh prej 780 vetësh, si dhe 12 salla operimi, 4 njësi të kujdesit intesiv dhe një klinikë dentare. Personeli mjekësor pritet të trajtojë të rritur, fëmijë, e gra shtatzëna të cilat mund të vijnë në bord për të lindur foshnjet e tyre.

Shefi i spitalit në anije, kapiteni Bruce Baynton thotë se megjithatë, puna më e madhe e mjekëve dhe infrermierëve do të kryhet në tokë.

“Ata që do të sigurojnë dhënien e kujdesit mjekësor bazë do të zbresin në tokë e do të ngrenë spitale e klinika fushore. Ne gjithashtu do të kemi një zonë ku kirurgët do të zbresin për të vizituar disa banorë që sipas ministrive e shëndetësisë të vendve përkatëse, kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike. Pas operimit, pacientët do të zbresin në tokë”.

Kapiten Boynton thotë se një nga objektivat e ekuipazhit të Comfortit është kryerja e operacioneve tek një numër pacientësh. Ekipi mjekësor përfshin personel ushtarak, civilë vullnetarë dhe anëtarë të grupeve qeveritare dhe jo qeveritare si Projekti i Shpresës. Robert Litchi është drejtor për çështjet mjekësore i këtij grupi me bazë në Virxhinia.

“Grupi ynë ka lidhje të ngushta me kompanitë farmaceutike dhe të prodhimit të pajisjeve mjekësore. Ato që ne kemi sjellë në këtë anije janë dhurata të cilat do t’u jepen disa vendve ku ne do të ndalojmë”.

Udhëtimi i fundit i anijes Comfort ishte në gjirin e Meksikës në vitin 2005 kur u shkoi në ndihmë viktimave të uraganit Katrina dhe Rita. Ajo gjithashtu morri pjesë në misionin amerikan në Haiti në vitin 1994 për të trajtuar pacientët dhe refugjatët që iknin nga ai vend që ndodhej nën sundimin ushtarak.

XS
SM
MD
LG