Lidhje

Dy zyrtarë të lartë amerikanë vazhdojnë misionin në Lindjen e Mesme


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, në një mision të rallë të përbashkët, zhvilluan në Egjipt bisedime mbi çështje të sigurisë me aleatë arabë të Amerikës. Ata u takuan sot në vendpushimin Sharm el-Sheik me zyrtarë të lartë nga Egjipti, Jordania dhe 6 vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit në Gjirin Persik.

Bisedimet kishin synim që të siguronin përsëri vendet arabe rreth angazhimit amerikan në rajon dhe shtimin e mbështetjes për qeverinë e Irakut. Zyrtarët diskutuan gjithashtu lidhur me një takim ndërkombëtar për konfliktin izraelito-palestinez, që mund të mbahet nga fundi i vitit. Ministri i jashtëm i Egjiptit tha se konferenca duhet të arrijë përparim drejt krijimit të dy shteteve. Sekretarja Rajs shfaqi shpresë që të nxisë dialogun mes Izraelit dhe palestinezëve kur të shkojë nesër në Jeruzalem dhe në Ramallah.

Administrata e presidentit Bush pritet t’i kërkojë Kongresit të miratojë një paketë të madhe shitjesh të armëve Izraelit dhe Egjiptit. Ajo thotë gjithashtu se paketa të ngjashme po përgatiten për Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit Persik. Paketa e propozuar 10-vjeçare përfshin 30 miliardë dollarë për armë dhe pajisje të sofistikuara ushtarake për Izraelin dhe 13 miliardë dollatë për Egjiptin.

Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thonë se marrëveshja e armëve ka si synim kundërvënien ndaj influencës në rritje të Iranit, por kritikët thonë se ajo mund të përshpejtojë edhe garën e armatimeve në një rajon të trazuar.

Ndërkohë që luftimet në Irak vazhdojnë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme po diskutojnë planet për të sjellë më shumë armë në rajon. Marrëveshja e propozuar e armëve do të dërgonte miliarda dollarë në teknologji të sofistikuara armësh në vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë Egjiptin, Izraelin dhe Arabinë Saudite. Patrick Clawson, studjues në Institutin e Washingtonit për Politikën e Lindjes së Afërme thotë se plani ka si synim kundërvënin ndaj rritjes së kërcënimit nga Irani.

"Iranianët janë sjellë gjatë gjashtë muajve të fundit sikur askush nuk mund t’i ndalë ata. Tani Shtetet e Bashkuara dhe miqtë e tyre në Lindjen e Mesme po i tregojnë Iranit se ata kanë grumbulluar në fakt burime të mëdha”, thotë zoti Clawson.

Kritikët argumentojnë se plani mund të ketë edhe pasoja si përshpejtimi i garës së armatimeve në një rajon të ndezur dhe kërcënimi i balancës delikate me Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë. Anëtari i Kongresit nga New Yorku, Anthony Weiner, ka në plan ta bllokojë marrëveshjen. Ai thotë se marrëveshja shpërblen Arabinë Saudite, vend që sipas tij ka bërë pak për të ndalur ekstremistët që të kalojnë kufirin për të hyrë në Irak.

"Që Shtetet e Bashkuara të shpërblejnë një vend të tillë me 20 miliardë dollarë në shitje armësh nga më të sofistikuarat, është thjesht çmënduri. Kongresi nuk do ta mbështesë një gjë të tillë”, thotë zoti Weiner.

Por zyrtarët e administratës thonë se nuk ka fakte se sauditët janë implikuar në Irak. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey, thotë se shitja e armëve është pjesë e angazhimit amerikan ndaj aleatëve të tyre.

"Kjo është një mundësi për të treguar se Shtetet e Bashkaura synojnë të punojnë me vendet që përbëjnë forca për modernizimin, me të cilat kemi patur marrëdhënie të vjetra në fushën e sigurimit dhe të mbrojtjes dhe t’i ndihmojnë ato për të përballuar kërcënimet e mundëshme në rajon, duke përfshirë edhe kërcënimet që përbëjnë Irani dhe Siria me aleancat e tyre, si dhe mbështetja që ato u japin organizatave terroriste”, thotë zëdhënësi.

Për ulur shqetësimet rreth shtimit të kërcënimeve ushtarake në rajon, Shtetet e Bashkuara kanë në plan një paketë më të madhe armësh Izraelit, në mënyrë që ai të ruajë avantazhin e tij ushtarak. //rd//

XS
SM
MD
LG