Lidhje

SHBA: Bisedimet e reja Prishtinë-Beograd - përpjekja e fundit për marrëveshje mes palëve


Departamenti amerikan i Shtetit tha se e shikon periudhën e bisedimeve prej 120 ditësh mes Prishtinës dhe Beogradit si një përpjekje serioze dhe të fundit për të arritur marrëveshje mes palëve.

Në një deklaratë të bërë dje, zëdhënësi Tom Kejsi, tha se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun mbi nismën e Grupit të Kontaktit për një periudhë angazhimi intensiv mes dy palëve.

Trojka negociatore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia që veprojnë në kuadrin e Grupit të Kontaktit, do të vizitojë së shpejti rajonin për t’u këshilluar me palët.

Ambasadori Frenk Uizner, përfaqësuesi amerikan në bisdimet për statusin e Kosovës do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në këtë trojkë. I dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari dhe stafi i tij do të vazhdojnë të jenë të lidhur me procesin, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Deklarata ve në dukje gjithashtu se kjo periudhë angazhimi nuk është pa afat. Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun, thekson deklarata, ka thënë se Grupi i Kontaktit do t’i raportojë atij jo më vonë se 10 dhjetori i këtij viti, kohë pas së cilës Shtetet e Bashkuara besojnë se statusi i Kosovës duhet të sqarohet menjëherë. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht dakord me Sekretarin e Përgjithshëm se statukuoja nuk mund të vazhdojë më, thekson deklarata e Departamentit të Shtetit.

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara ndaj propozimeve të të dërguarit të posaçëm Ahtisaari, duke përfshirë rekomandimin e tij që Kosova të bëhet e pavarur duke iu nënshtruar një periudhe mbikqyrjeje ndërkombëtare. Propozimet e të dërguarit të posaçëm Ahtisari, të përgatitura pas 15 muajsh negociatash me ndërmjetësinë e OKB-së, thuhet në deklaratë, do ta lejonin krejt rajonin të linte pas konfliktet e viteve 90 dhe të ecte drejt një të ardhmeje më të ndritur euro-atlantike.

Në të njëjtën kohë, thekson deklarata, Shtetet e Bashkuara janë gati të pranojnë çdo rezultat për të cilin palët bien dakord. //ii

XS
SM
MD
LG