Lidhje

Obama thotë se do të dërgonte trupa në Pakistan për të luftuar terrorizmin    


Kandidati demokrat për president Barak Obama tha se do të ishte i gatshëm të dërgonte trupa amerikane në Pakistan për t’u vënë në ndjekje të terroristëve edhe pa lejen e qeverisë së presidentit Pervez Musharraf. Senatori Obama i bëri këto komente gjatë një fjalimi mbi politikën e jashtme në Uashington.

Obama u përqendrua në mënyrën se si do ta zhvillonte luftën kundër terrorizmit nëse zgjidhet president në nëntor 2008.

Demokrati nga shteti Ilinoi tha se presidenti Bush e ka zhvendosur vëmendjen nga lufta kryesore kundër terrorizmit tek lufta në Irak.

Obama tha se ai do të ishte i gatshëm të dërgonte trupa amerikane në rajonin kufitar veriperëndimor të Pakistanit për t’u vënë në ndjekje të terroristëve të al-Kaidës dhe Talebanit edhe nëse qeveria e Pakistanit nuk do t’i jepte leje.

“Unë e kuptoj që presidenti Musharraf ka problemet e veta. Por dua të jem i qartë. Në ato male gjenden terroristë që kanë vrarë 3 mijë amerikanë. Ata planifikojnë të na sulmojnë përsëri. Nëse ne do të kemi informacione sekrete të sigurta për terroristë të rëndësishëm dhe presidenti Musharraf nuk do të veprojë, atëherë këtë do ta bëjmë ne.”

Obama tha gjithashtu se, si president, ai do t’i vinte përparësi tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku.

Obama tha se presidenti Bush e ka keqinterpretuar misionin amerikan kundër terrorizmit duke u përqendruar më shumë se duhet tek lufta në Irak dhe duke i futur Shtetet e Bashkuara në mes të një lufte civile.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i presidentit Tony Snow tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuara për të punuar me presidentin Musharraf në ndjekje të vatrave të mundëshme terroriste.

“Ne mendojmë se qëndrimi ynë ndaj Pakistanit jo vetëm që respekton sovranitetin e këtij shteti dhe kësaj qeverie, por është formuluar në mënyrë të tillë që ne të bashkëpunojmë me qeverinë vendore.”

Beteja mes kandidatëve Klinton dhe Obama, e cila po ashpërsohet çdo ditë, ka lënë jashtë qendrës së vëmendjes gjashtë demokratët e tjerë që janë në garë, duke përfshirë edhe senatorin Joe Biden nga shteti Delaware.

Senatori Biden ka mbetur pas si në anketa ashtu edhe në mbledhjen e fondeve, por megjithatë thotë se demokratët kanë kohë të vendosin për kandidatin presidencial në zgjedhjet e 2008-s.

“E vërteta është se në Partinë Demokrate ende nuk është vendosur se cili do të jetë kandidati. Dhe, unë besoj se, në fund të fundit, idetë kanë më shumë rëndësi se paratë.”

Në anketën e fundit, Hillary Klinton e ka shtuar epërsinë ndaj Obamës për emërimin e kandidatit presidencial të Partisë Demokrate. Anketa e Wall Street Journal-NBC News tregonte senatoren Klinton në krye me 43 përqind dhe Obamën me 22 përqind, ndërsa ish senatori i Karolinës së Veriut, John Edwards pasonte në vendin e tretë me një përkrahje prej 13 përqind.

Megjithatë, anketat në disa prej shteteve si New Hampshire dhe Karolina e Jugut tregojnë një përkrahje në rritje për senatorin Obama në krahasim me zonjën Klinton. //kk//

XS
SM
MD
LG