Lidhje

SHBA: Në fushatën presidenciale, disa kandidatë kanë mbetur në hije


Gjithsej 17 pretendentë, nëntë republikanë dhe tetë demokratë kanë vënë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 në Shtetet e Bashkuara. Vëmendja e medias është përqëndruar në kandidatët më të njohur si Clinton, Obama, Guliani dhe McCain. Disa prej konkurentëve të tjerë po përpiqen të tërheqin vëmendje në turmën e madhe të pretendentëve për Shtëpinë e Bardhë.

Ka të ngjarë të mos keni dëgjuar ndonjëherë për Mike Gravel. Ai ka qënë senator i Alaskës në vitet 1970 dhe u bë i njohur np mbarë vendin kur lexoi me zë të lartë në sallën e Senatit pjesë të një raporti sekret të departamentit të mbrojtjes mbi Luftën e Vietnamit që njihet si Letrat e Pentagonit.

Zoti Gravel është një nga tetë demokratët në garën për president. Ai po përpiqet të kompensojë mungesën e fondeve dhe njohjes duke u përqëndruar në kundërshtimin e tij të fortë ndaj luftës në Irak.

“Po ju them se ka vetëm një të keqe më të madhe se sa vdekja e një ushtari kot, pa kuptim. Është vrasja e më shumë ushtarëve pa kuptim, ashtu siç po ndodh sot në Irak”.

Kandidati Gravel nuk është i vetmi që nuk njihet mirë.Ligjvënësi nga Ohio, Dennis Kucinich po kërkon gjithashtu të sigurojë kandidaturën presidenciale nga Partia Demokrate. Ai ishte në garë edhe në vitin 2004.

“Le ta shohim luftën me realitet. Të sjellim trupat në atdhe, të marrim qëndrim dhe ta bëjmë këtë tani. T’i dërgojmë një mesazh kongresit. Nuk mund të presim derisa të zgjidhet presidenti i ri”.

Sipas anketave, Kuchinich dhe Gravel ndodhen në fund të renditjes, ashtu siç janë edhe disa demokratë të njohur, si senatorët Joe Biden nga Delaware, Chris Dodd nga Connecticut dhe guvernatori i New Mexico-s Bill Richardson.

Në krye për momentin janë senatorët Hillary Clinton, Barack Obama dhe ish senatori John Edwards nga Carolina e Veriut.

Midis republikanëve, nëntë kandidatë po konkurojnë për të fituar emërimin e partisë së tyre, përfshi ligjvënësin nga Teksasi Ron Paul.

Megjithëse është shumë pas në anketat e opinionit, zoti Paul ka siguruar një farë mbështetjeje veçanërisht përmes internetit midis votuesve që preferojnë një konservator tradicional me një përqasje libertare që kundërshton programet e mëdha të qeverisë dhe shpenzimet e kota.

Ligjvenësi Paul është gjithashtu i vetmi pretendent republikan që kundërshton luftën në Irak.

Disa kandidatë të tjerë republikanë identifikohen lidhur me çështje specifike. Ligjvënësi Tom Tancredo i Kolorados e ka bërë ndalimin e imigracionit ilegal përparësinë e tij kryesore.

Senatori Sam Brownback i Kansasit po e përdor fushatën e tij presidenciale për të theksuar kundërshtimin e tij për abortin. Ndër pretendentët e tjerë të panjohur republikanë janë ish guvernatorët Mike Huckabee i shtetit Arkansas dhe Tommy Thompson i shtetit Wisconsin si dhe ligjvënësi nga Kalifornia Duncan Hunter.

Në krye të listës së republikanëve për momentin është ish kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudy Giuliani, senatori i Arizonës John McCain dhe ish guvernatori i Massachusetts Mitt Romney.

Ndërsa kandidatët si Ron Paul dhe Mike Gravel kanë mundur të sigurojnë përkrahës të paktë por entuziastë në fushatat e tyre, disa ekspertë besojnë se numri i madh i kandidatëve është një zbrapsje për votuesit që përpiqen të vendosin se cili do të jetë kandidati më i mirë për president në vitin 2008. Larry Sabato drejton Qëndrën për Politikat Qeveritare në Uiversitetin e Virginias.

“Është e vështirë të zhvillohet dialog kur ke dhjetë kandidatë në podium. Është absurde, të gjithë e dinë që është qesharake dhe të gjithë përpiqen të tregohen të drejtë. Do të thosha se ka ardhur koha për të qënë të padrejtë”.

Në fakt, numri i pretendentëve republikanë mund të shtohet gjatë javëve të ardhshme. Ish senatori Fred Thompson nga Tennessee pritet të hyjë në garë në shtator dhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich nga Georgia thotë se do të marrë vendimin për të hyrë në garë nga tetori. //kk//

XS
SM
MD
LG