Lidhje

Debat i ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve për ligje të rëndësishme


Një debat i ashpër ka përfshirë Dhomën e Përfaqësuesve ndërkohë që ata punonin për kompletimin e një ligji të rëndësishëm, përpara se të fillojnë pushimet e gjata të verës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson njofton nga Kongresi, ku shkëmbimi i replikave midis republikanëve dhe demokratëve filloi pas kërkesës që Presidentiti Bush i bëri Kongresit për të mos u larguar me pushime derisa të miratoheshin ligje të rëndësishme.

Duke filluar nga mbrëmja e ditës së enjte deri të premten, Dhoma e Përfaqësuesve ishte vend i disa replikave më të forta politike në vitet e fundit. Të enjten, me një ligj të rëndësishëm mbi mbrojtjen dhe anti-terrorizmin që ende nuk është miratuar, pakica republikane u revoltua nga fakti se si u procedua në votimin e një ligji për bujqësinë.

Rreth 100 republikanë lanë sallën, ku ata akuzuan demokratët për shkeljen e precedurave të votimit për të kthyer votimin në favor të tyre.

Demokratët kuptuan se ishte bërë gabim në procedurë nga një prej anëtarëve të tyre që kishte fjalën, por kontradiktat u bënë më të ashpra duke çuar në paralizimin e punimeve të ditës së premte, kur republikanët u ankuan rreth atyre që ata i quajtën taktika diktatoriale të demokratëve.

“Një javë me shkelje të principeve të Dhomës së Përfaqësuesve arriti në atë pikë që i detyroi republikanët të largoheshin nga salla, i cili ishte një largim i domosdoshëm dhe unë ndjehem i turpëruar nga Dhoma e Përfaqësueve”, tha udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësueve, Roy Blunt.

Ndërsa udhëheqësi i demokratëve, Steny Hoyer, u shpreh në këtë mënyrë lidhur me këtë problem:

“Nuk e fajësoj pakicën për këtë nervozizëm të dukshëm, që erdhi nga ajo që ata e konsideruan se nuk ishte trajtim i drejtë”.

Pas një pushimi afërsisht prej 4 orësh, Dhoma refilloi punimet për të diskutuar ligjin në rendin e ditës, vetëm për të verifikuar problemin me sistimin kompiuterik të votimit, i cili krijoi një debat tjetër.

Përpara largimit për pushimet e gushtit, ligjvënësit duhet të miratojnë fondet për Pentagonin dhe një ligj për rishikimin e Aktit të Përgjimeve për të huajt.

Presidenti dhe republikanët në Kongres kërkojnë ndryshime që do t’i jepnin Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Drejorit të Agjencisë Kombëtare të Zbulimit fuqinë për të dhënë urdhër për të përgjuar komunikime elektronike jashtë vendit, duke përfshirë ndoshta dhe disa individë në Shtetet e Bashkuara, pa kërkuar më parë miratimin nga një gjykatë speciale.

“Në qoftë se Drejtori i Agjencisë Kombëtare të zbulimit thotë se propozimi i bërë nuk mbyll të çarat për mbledhjen e informacioneve, Presidenti do t’i vërë veton dhe kjo është një provë për Presidentin dhe ne duhet të sigurohemi që këto të çara të mbyllen përpara fillimit të pushimeve të verës”, tha ndihmësi i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Scott Stanzel.

Por demokratët kundërshtrojnë me forcë propozimin e Presidentit që i përfoluri Prokuror i Përgjithshëm, Alberto Gonzales, të ketë një rol në miratimin e përgjimeve dhe akuzuan republikanët për tejkalimin e kërkesave përtej atyre që u arrit në mirëkuptim pas shunë bisedimesh.

Drejtuesi i demokratëve në Senat, Harry Reed vuri në dukje se administrata dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, Mike McConnell ndryshuan këndvështrimin e kërkesave të tyre:

"Ai na tha ne se për çfarë kishte nevojë dhe ne ia lejuam. Dhe tani duket se të tjerë kanë filluar të angazhohen, sepse tani ai kërkon më shumë nga çfarë ai na kërkoi fillimisht”.

Punimet e Dhomës së Përfaqësuesve për të dy ligjet, atë të Aktit për Përgjimet për të Huajt dhe atë për buxhetin e mbrojtjes në shumën prej 460 miliard dollarë, duke përfshirë dhe shtesat rreth Irakut dhe terrorizmit, pas atmosferës së krijuar u shtynë deri të premten vonë, duke bërë që ligjvënësit t’i shtyjnë pushimet e gushtit. Senati akoma nuk e ka miratuar versionin e tij mbi ligjin e buxhetit për mbrojtjen. //iç

XS
SM
MD
LG