Lidhje

Camp David, vendpushimi ku presidentët i largohen syrit publik 


Vendpushimi malor presidencial Camp David, që ka marrë emrin e nipit të presidentit Dwight Eisenhower ndodhet 100 kilometra në veri të Washingtonit. Me një sipërfaqe prej 81 hektarësh, Camp David është i rezervuar për veprimtari private të presidentit dhe lejimi i shtypit është mjaft i kufizuar, përveç ndonjë rasti të veçantë.

Camp David u ka shërbyer presidentëve dhe familjeve të tyre si një pikë verore pushimesh që në vitin 1942- duke u ofruar një mjedis të freskët malor larg verës shpesh mbytëse të Uashingtonit. Por Camp David përdoret edhe në pjesë të tjera të vitit, si një vend unik për biznes dhe pushim.

“Camp David është një zonë e izoluar. Turistët nuk mund t’i afrohen pasi është i rrethuar me tela si një pronë e madhe e qeverisë”, thotë historiani presidencial Michael Barrone.

Ai shtonte se si pikë izoluar, Camp David është një vend ideal për të pritur udhëheqësit e huaj si dhe për të zhvilluar negociata të rëndësishme ndonjëherë edhe intensive.

Presidenti George W. Bush ka pritur aty udhëheqës të huaj – kryeministri Tony Blair i Britanisë që sapo u largua nga ky post dhe disa udhëheqës të tjerë janë pritur këtu. Presidenti Jimmy Carter kreu negociata në Camp David me kryeministrin izraelit Manachem Begin dhe presidentin egjiptian Anwar Sadat. Ata arritën një marrëveshje që njihet si marrëveshja e Camp David 1978 me sa kujtoj”.

Dhe 87 vjeçari George Wireman nga Thurmont i Marylandit – komuniteti më pranë vendpushimit – ishte këtu kur ndodhi kjo.

“Kuptova se këtu pranë nesh ishte arritur marrëveshja për të cilën mund të ndjeheshim krenarë edhe ne”.

George Wireman është historian i Thurmontit. Kohët e fundit ai publikoi disa nga imazhet e ditarit të tij rreth vendpushimit presidencial. Publikoi gjithashtu kujtimet e tij të institucionit lokal të njohur këtu si Cozy.

“Gjëja më interesante rreth Cozy-së ishte fakti se u bë qendra e medias. Gazetarët ndiqnin presidentin kur ai vinte në Camp David por Cozy ishte vendi deri ku ata mund të shkonin”.

Cozy është një kompleks pushimi vetëm 10 kilometra larg Camp David. Më pak ekskluziv sesa Camp David, ai është ende pika më e afërt ku njerëzit mund të shkojnë pranë pikës presidenciale. Aty ka edhe një muzeum për Camp David. Vickie Grinder është manaxhere e Cozy-së.

“Të gjithë artikujt dhe fotografitë që shihni në muzeumin Camp David i janë dhuruar Cozi-së nga gazetarët që kanë qëndruar këtu me ne gjatë viteve”.

Lajmet e gazetave dhe fotografitë e presidentëve amerikanë që nga Franklin Roosevelt në vitin 1942 janë kujtime të statusit të veçantë të Thurmontit në hijen e historisë.

"Është krenari kur u shpjegon njerëzve që nuk kanë dëgjuar më parë se nga bie Thurmont, se jetojmë shumë pranë vendpushimit presidencial Camp David. Ky fakt na përcakton më mirë në hartë".

Për një gjë jam krenar që komuniteti në Thurmond e kupton rëndësinë e Camp David, si një vend ku presidenti mund të relaksohet dhe të jetë në ambjent privat. Ne asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk jemi përpjekur të nxjerrim fitime nga ky fakt. Kjo më bën krenar si historiani i qytetit.

Disa herë tregimet për çfarë ndodh në vendpushimin malor të njohur si Camp David zënë faqet e gazetave apo librat e historisë. Por shumë nga ajo që dihet për Camp David vjen nga këta njerëz këtu që janë fqinjët e tij. //kk//

XS
SM
MD
LG