Lidhje

Nju Jork: Astrolandi, parku i famshëm i lojrave përballë mbylljes


Koni Ajllend është një prej pikave më të vizituara turistike të Nju Jorkut. Bregu i tij, shëtitorja buzë oqeanit dhe parku i lojrave kanë qenë tërheqëse për vizitorët që prej më shumë se një shekulli. Por parku më i madh i tij i quajtur Astroland do të mbyllet në mbarim të stinës së verës për t’i hapur rrugën një projekti ndërtimesh me vlerë prej 250 milion dollarësh.

Astrolandi të kujton kohën e vjetër. Ai është tepër larg shkëlqimit dhe madhështisë që karakterizon parqet moderne të lojrave.

Karuzeli i quajtur Ciklon është i vitit 1926. Dhe ashtu si ky karusel, edhe Koni Ajllend si dhe pjesa më e madhe e zonës rreth tij ka vite që është në rënie.

Ky cep i Bruklinit ka qenë pika e parë turistike me rëndësi e Amerikës dhe deri në vitet 60 ka tërhequr miliona banorë të Nju Jorkut. Më pas, zjarret, falimentimet dhe degradimi urban bënë të tyren. Por sot ka plane për t’a rikthyer shkëlqimin e dikurshëm.

Këto janë përfytyrimet e piktorit se si do të jetë Koni Ajllend i shekullit të 21. Është pjesë e një rinovimi prej 2 miliard dollarësh që do ta kthejnë atë në një park argëtimi të klasit botëror.

Por planet parashikojnë edhe hotele dhe ndërtesa të mëdha apartamentesh, shumë ndryshe nga pamja që ka sot Coney Island.

Carol Albert dhe familja e saj kanë qenë pronarë të Astrolandit që prej 45 vjetësh por kohët e fundit ja shitën atë firmës së biznesit Thor Equities. Me një farë keqardhjeje, ajo do ta mbyllë parkun në mbarim të kësaj vere.

"Meqenëse ne vetë nuk mund ta rindërtojmë parkun dhe meqenëse firma ka blerë thuajse çdo objekt të tij, së shpejti ne do të jemi të rrethuar nga një mori ndërtimesh si dhe nga dherat. Prandaj menduam se po të vazhdonim ta mbanim hapur parkun do të humbisnim klientë."


Shumë njerëz që janë rritur në këtë lagje të Bruklinit kërkojnë ta ruajnë atmosferën familjare në Coney Island. Aty shkohet lehtë me metro, e cila është shumë e lirë ndërsa hyrja në park është falas.

Ja ç’thotë Stan Fox, banor i Bruklinit dhe njëkohësisht historian.

"Këtu mund të shpenzosh 1 dollar, 100 dollarë ose asgjë nëse thjesht dëshiron të ecësh në shëtitoren buzë oqeanit. Mjafton të kesh me vete një shishe uji dhe ia kalon shkëlqyeshëm."


Plazhi 5 kilometra i gjatë, që ndodhet një stacion metroje nga Manhatani, vazhdon të jetë një magnet për turistët gjatë verës dhe më pak në dimër. Por autoritetet duan që plazhi të shfrytëzohet gjithë vitin.

Paul Georgulakos punon këtu që nga koha kur imigroi nga Greqia dhe thotë se ka ardhur koha që këtij simboli në vyshkje t’i kthehet shkëlqimi.

"Coney Island, ishte dikur ëndrra e gjithë botës kurse tani është tkurrur prandaj po përpiqen ta ndërtojnë përsëri."

Tani për tani, firma Thor Equities është në bisedime me autoritetet e Nju Jorkut dhe me organizatat vendase, të cilat kërkojnë të pakësohet numri i apartamenteve që duan të ndërtojnë kompanitë.

Por njerëz si Carole Albert, që kanë kaluar tërë jetën këtu, duan që njujorkezët të kenë një Koni Ajllend ashtu siç e kanë patur dikur.

"Në fund të fundit këtu është Nju Jork. Njujorkezët janë njerëz me karakter, nëse duan diçka ata e arrijnë. Ata kërkojnë të ruhet shëtitorja, të ruhet plazhi dhe kjo të vendoset në mënyrë demokratike. Prandaj ne të gjithë shpresojmë se kështu do të ndodhë.”
//ii

XS
SM
MD
LG