Lidhje

Ekonomia e Gazës në vështirësi që kur Hamasi mori kontrollin


Që kur Hamasi mori kontrollin në Rripin e Gazës, zhvillimi ekonomik ka ndaluar në pjesën më të madhe të këtij territori. Mijra vetë kanë humbur vendet e punës. Izraeli ka mbyllur kufijtë me Gazën. Shumë vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste dhe për këtë arsye Gaza ka mbetur e izoluar ndërsa ekonomia e saj është rrënuar.

Jeta po vështirësohet në Rripin e Gazës. Hamasi e mori pushtetin në qershor. Që atëherë është vendosur rendi në rrugët dikur kaotike Të Gazës. Por shumë banorë ankohen se kostoja e sigurisë është shumë e lartë.

Kufinjtë e Gazës me Izraelin janë mbyllur. E vetmja mënyrë për të dalë është një pikë-kalim i vetëm, i mbyllur për të gjithë me përjashtim të atyre që kanë raste urgjente.

Që kur Hamasi mori kontrollin, zhvillimi ekonomik ka ndaluar në pjesën më të madhe të Gazës. Mbi 68 mijë vetë kanë humbur vendet e punës. Izraeli mbylli kufijtë me Gazën sepse Tel Avivi, ashtu si pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar e konsideron Hamasin organizatë terroriste.

Mbi 70 për qind e fabrikave të Gazës janë mbyllur që kur Hamasi mori kontrollin. Nasser el Helu është një nga biznesmenët më me peshë të Gazës. Ai thotë se sektori privat i Gazës shumë shpejt do të zhduket dhe së bashku me të edhe një burim i qëndrueshëm në rajon.

“Ne biznesmenët e Gazës, së bashku me biznesmenët e Izraelit jemi ura e fundit e mbetur e marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Vetëm pak javë më parë, anëtarë të armatosur të Hamasit kryen përleshje në Gaza me ata të fraksionit Fatah. Tani Fatahu është tërhequr në Bregun Perëndimor dhe Hamasi ka kontrollin e Gazës.

Njerëzit mund të dalin përsëri. Por pak prej tyre kanë para për të shpenzuar. Papunësia po arrin nivele rekord dhe 80 për qind e banorëve të Gazës marrin tani ndihma ushqimore emergjence nga Kombet e Bashkuara.

Amed Yousef është një udhëheqës i lartë i Hamasit në Gaza. Ai thotë se tani për tani Hamasi nuk do ta njohë Izraelin apo të dënojë dhunën siç kërkon komuniteti ndërkombëtar. Ai paralajmëron se paqendrueshmëria vetëm do të rritet nëse nuk hiqet bllokada ekonomike e Gazës.

“Shpresoj që Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe komuniteti botëror të kenë nxjerrë mësime nga ato që ndodhën në Afganistan, Irak dhe vende të tjera ku ka pasur ndërhyrje ndërkombëtare dhe qëndresë ndaj kësaj ndërhyrjeje. Ne palestinezët, kemi qenë nën këtë lloj presioni për gjashtë dekada. Nëse bota do të na ndihmojë që të shpëtojmë nga ky pushtim, në rregull, nëse jo, ne do të vazhdojmë qëndresën”.

Kështu tani për tani, Hamasi thotë se e vetmja gjë që mund t’i ofrojë popullsisë në Gaza, është siguria, një pasuri e vlefshme në një vend ku pasiguria ka mbretëruar prej kohësh.

Mark Regev është zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite. Ai thotë se Izraeli ka marrë masat që në Gazë të arrijnë ndihma të konsiderueshme humanitare, por ai thotë se nuk është realiste që të mendohet se tani për tani Izraeli do të rihapë pikëkalimet për aktivitete tregëtare.

“Ne do të donim t’i kishim të gjitha pikëkalimet funksionale. Nuk kemi interes që Gaza të jetë në vëshirësi ekonomike. Ideja se kotrolli mund të jetë në duart e një organizate terroriste që mban peng një ushtar izraelit, që godet me raketa në territorin e Izraelit dhe që organizon sulme vetëvrasëse në Izrael, është krejtësisht e papranueshme”.

Në pikëkalimin Karni në anën izraelite të kufirit të Gazës, dikur qarkullonin 200 kamionë me mallra mes Izraelit dhe Gazës. Tani kjo pikë është thuajse e braktisur. Shumë njerëz në Gaza thonë se edhe ata janë braktisur dhe janë tani në mëshirën e forcave politike që ata vetë nuk mund t’i kontrollojnë. //kk//

XS
SM
MD
LG