Lidhje

Sejdiu në Tiranë: Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi sot në Tiranë se krahas pavarësisë, një sfidë tjetër e rëndësishme për Kosovën është ruajtja e tërësisë territoriale të saj. Zoti Sejdiu tha gjatë një takimi në Tiranë me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, se pavarësia e Kosovës është një kërkesë e panegociueshme, ndërkohë që demokracia dhe reformat në Kosovë kanë përparuar.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaroi sot në Tiranë se ruajtja e integritetit territorial dhe pavarësia janë të panegociueshme në procesin e statusit përfundimtar të saj.

Zoti Sejdiu i bëri këto komente gjatë një takimi me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, ku u diskutua për zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Sipas njoftimeve, dy presidentët diskutuan mbi zhvillimin e reformave dhe demokracisë në Kosovë.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova gjendet përballë sfidave të rëndësishme dhe se në Prishtinë e në qarqet diplomatike po bëhen përpjekjeve të mëdha për arritjen e statusit përfundimtar, që do të jetë pavarësia e panegociueshme dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës.

Po ashtu, theksoi zoti Sejdiu, Kosova po punon shumë edhe për proceset reformuese në vend, që do të pasohen nga proceset e integrimit euroatlantik.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, tha se të gjitha institucionet e Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me ato të Kosovës për sa i takon pavarësisë dhe i mbështesin tërësisht për sa i përket çështjes së përcaktimit të statusit. Ai shprehu bindjen që statusi do të përcaktohet sa më shpejt edhe në sajë të mbështetjes së faktorit ndërkombëtar. Zoti Topi tha gjithashtu se do të bëjë të pamundurën për të konsoliduar më tej marrëdhëniet kushtetuese dhe njerëzore mes dy vendeve.

Presidenti Topi tha se Kosova dhe populli i saj po përjetojnë çastet më të rëndësishme në historinë e tyre – ato të përcaktimit të statusit përfundimtar, që padyshim do të jetë pavarësia.

Takimi me zotin Sejdiu është i pari për Presidentin Topi që nga zgjedhja e tij në këtë post në muajin korrik.//ii

XS
SM
MD
LG