Lidhje

Japonia përkujton 62 vjetorin e bombës në Hiroshima


Kryeministri japonez Shinzo Abe premtoi se do të përpiqet për eliminimin e armëve bërthamore. Ai i bëri komentet në një ceremoni përkujtimore me rastin e 62-vjetorit të hedhjes së bombës atomike në Hiroshima. Në orën 8:15 të mëngjesit, në Japoni u mbajt një minutë heshtje për të përkujtuar momentin kur një bombë atomike amerikane shpërtheu mbi Hiroshimë në vitin 1945. Nga bomba u vranë më shumë se 240 mijë njerëz. Një pjesë e tyre u vranë direkt nga shpërthimi ndërsa shumë të tjerë vdiqën për shkak të ekzpozimit ndaj rrezatimit bërthamor. Park Nam-Ju, një grua me origjinë koreane, ishte në Hiroshimë kur u hodh bomba dhe ajo përshkruan atë që mban mend nga ao ditë tragjike.

Mëngjesin e 6 gushtit 1945, 13-vjeçarja Park Nam-Ju, mori vëllanë dhe motrën e saj të vogël për të shkuar me tren në qytet, ku dikur punonte i ati dhe xhaxhai i saj. Atë mëngjes kishte patur një paralajmërim për sulm ajror por çdo gjë kishte kaluar pa incident. Ajo po shijonte udhëtimin me tren bashkë me vëllanë dhe motrën kur një njeri që po shikonte nga dritarja e trenit tha se kishte parë një avion B-29 që sapo kishte fluturuar. Zonja Park e përshkruan kështu atë që ndodhi pas kësaj: "Zhurma e shpërthimit erdhi pas një drite verbuese. Për një çast nuk po kuptoja se ç’po ndodhte. Pas pak fillova të kuptoj se treni po lëvizte mbapsht. Dikush thirri që njerëzit të dilnin nga treni. Në fillim kujtova se po mbahesha pas vëllait dhe motrës por pastaj kuptova se kisha dalë nga treni ndërsa vëllain dhe motrën po e mbante një i rritur."

Pas asaj që ndodhi, Park vendosi t’i harrojë ngjarjet e asaj dite, t’i varrosë ato thellë në mendjen e saj. Por duke parë fëmijët që po i rriteshin dhe se ajo ditë dalngadalë po fshihej nga kujtesa e njerëzve, Park ndryshoi mendje. Tani ajo flet shumë para fëmijëve të shkollave dhe turistëve që vizitojnë Hiroshimën për 6 gushtin 1945. Ajo tregon se pas shpërthimit të bombës kishte parë njerëz që endeshin nëpër rrugë duke thirrur për ndihmë. Shumica e njerëzve që i dilnin përpara ishin të djegur nga shpërthimi. Zonja Park thotë se brezi i sotëm nuk duhet të harrojë ato që ndodhën shumë vite më parë. Ajo shqetësohet se Japonia e sotme mund të harrojë vuajtjet e së kaluarës dhe të mos i përmbahet kushtetutës paqësore që kishte premtuar të respektonte.

Dje, kryeministri Shinzo Abe kërkoi falje për komentet e bëra nga një ish ministër i mbrojtjes i cili tha se hedhja e bombës atomike amerikane në Japoni në vitin 1945 ishte e justifikuar. Zonja Park thotë se Japonia është politikisht shumë e lidhur me Amerikën dhe me Europën dhe se duhet ta përqendrojë më tepër vemendjen te fqinjët e saj siç janë Kina dhe Koreja e Jugut. Shqetësimi i saj është se duke harruar vuajtjet e Hiroshimës, kjo mund të çojë në harrimin e problemeve më të mëdha siç janë vuajtjet e vendeve fqinje dhe rëndësia e paqes. //rd//

XS
SM
MD
LG