Lidhje

Mision i rrezikshëm për rezerva të mundshme nafte dhe gazi


Të enjten e kaluar dy nëndetëse të vogla ruse u zhytën më shumë se 4 kilometra në fund të detit në një mision të rrezikshëm ku ndërthurej shkenca, eksplorimi dhe zbulimi për rezerva të mundshme të naftës dhe gazit.

Ekuipazhi i nëndetëseve MIR-1 dhe MIR-2 kreu atë që autoritetet ruse e quajtën zhytjen e parë në fund të oqeanit në pikën më veriore të Tokës.

Drejtuesi i ekspeditës dhe shkencëtari i famshëm polar Artur Chilingarov i cili ishte në bordin e nëndetëses MIR 1 me ekuipazh r-vetësh deklaroi në kthim se Arktiku i ka takuar gjithmonë Rusisë.

"Njerëzit duhet ta pranojnë faktin se ne ishim të parët. Kur amerikanët shkuan në Hënë ne nuk thamë gjë. Arktiku ka qënë gjithmonë i yni dhe fakti që ishim të parët atje është kënaqësi e madhe. Gjithçka varej në organizimin e kësaj ekspedite historike dhe të veçantë".

Reagimet nga vende të tjera të Arktikut për flamurin rus të ngulur në vend kanë qënë pa diskutim negative deri në nënvlerësuese.

Ministri i Jashtëm i Kanadasë sugjeroi se Rusia po vepronte sipas rregullave të shekullit të pesëmbëdhjetë të pushtimeve perandorake.

Shtetet e Bashkuara e komentuan zhvillimin me të njëjtin ton nënvlerësues, duke theksuar se nuk ka rëndësi objekti që kanë vendosur rusët në pol të verit, pasi një gjest i tillë nuk i jep peshë këtij pretendimi.

Pjesëtari australian i ekspeditës Michael McDowell ishte megjithatë entuziast të theksonte natyrën shkencore të misionit.

"Synimi kryesor i ekspeditës ka qënë gjithmonë eksplorimi dhe shkenca. Pra ishte një arritje e njerëzimit, e historisë njerëzore".

Gjatë zhytjes një kapsulë titani me flamurin kombëtar u hodh në fund të detit, duke ngritur pretendime simbolike mbi gjysmën e rajonit polar verior të planetit si territor rus.

Në dhjetor të vitit 2001 Moska ngriti pretendimin se pjesa e dalë prej 1 mijë e 995 kilometra në rajonin polar ishte një zgjatim i kontinentit euroaziatik dhe kështu që kjo pjesë i takonte Rusisë.

Kombet e Bashkuara e hodhën poshtë pretendimin e Moskës duke cituar mungesën e dokumentacioneve. Por Rusia pritet të ngrejë zyrtarisht pretendimin përsëri në vitin 2009. //ze//

XS
SM
MD
LG