Lidhje

SHBA: Intensifikohet deportimi i imigrantëve të paligjshëm


Autoritetet në Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë përpjekjet për kthimin e imigrantëve të paligjshëm në vendet e tyre. Në bazë të një programi, të quajtur “Operacioni i Kthimit tek Dërguesi,” 2007-ta do të jetë një vit rekord për deportimet. Kritikët thonë se qeveria nuk po ndjek vetëm të huajt ilegalë që kanë kryer vepra penale, por po arreston të gjithë imigrantët pa dokumenta, pavarësisht nëse kanë pasur shkelje të ligjit apo jo në jetën e tyre. Autoritetet e imigracionit thonë se ata thjeshtë po zbatojnë ligjin.

Sandi Domet mbledh gjërat e saj dhe do të niset për në Meksikë, ku ndodhet burri i saj, i cili u deportua kohët e fundit. Ajo imigroi nga Ekuadori para 11 vjetësh dhe tani është shtetase amerikane.

“E kam të vështirë ta kuptoj që një vend, i cili hapi dyert për mua, tani po më nxjerr jashtë. Mua më duhet të iki edhe nëse nuk dua ta bëj një gjë të tillë, sepse po të qëndroj këtu, fëmijët e mi do të rriten pa baba, dhe këtë unë nuk e dua”.

Sandi dhe burri i saj kanë jetuar bashkë në Florida për 8 vjet dhe janë të martuar që prej 6 vjetësh.

Çifti ka tre fëmijë të vegjël, që të tre qytetarë amerikanë dhe administronin një biznes të sukseshëm. Por burri meksikan i Sandit, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara ilegalisht para 10 vjetësh, është deportuar 3 herë dhe tani nuk i lejohet të kthehet.

Sandi u ka kërkuar autoriteteve që ta lejojnë familjen e saj të jetojë së bashku në Shtetet e Bashkuara.

“Kthejeni burrin tim sepse ne bënim një jetë të mirë këtu. Ne nuk i kërkonim asgjë qeverisë. Ne ishim qytetarë të mirë, burri im ishte qytetar i mirë”.

Mbrojtësit e imigrantëve thonë se raste të tilla tregojnë se përpjekjet për deportimin e më shumë imigrantëve ilegalë po shkatërrojnë jetë njerëzish.

Denis Diez punon për grupin, që mbron imigracionin, Vende Pune me Drejtësi. Ajo thotë se në të kaluarën agjentët përqëndroheshin në arrestimin e imigrantëve ilegalë, që kishin kryer krime. Tani ata pa drejtë ndjekin të gjithë imigrantët pa dokumenta.

“Ata nuk përbëjnë kërcënim për shoqërinë apo për sigurinë e amerikanëve. Agjentët e imigracionit po kalojnë në abuzimin e imigrantëve, madje duket se ata po shkelin të drejtat civile si edhe të drejtat e njeriut të këtyre njerzve”.

Agjencia amerikane e Imigracionit dhe Doganave vuri në dukje në një deklaratë për Zërin e Amerikës se ajo deporton vetëm individë, që kanë shkelur statusin e tyre të imigrimit ose që ishin deportuar me urdhër të gjykatësit.

Kjo agjenci thotë se thjeshtë zbaton ligjin sa më shpejt dhe me dinjitet, që është e mundur. Ajo mohon të ketë ndryshuar përqëndrimin e përpjekjeve për të deportuar imigrantë ilegalë, pavarësisht të kaluarës së tyre kriminale.

Shtimi i deportimeve është mirëpritur nga Mike Jarbek, i cili kryeson një grup aktivist i quajtur Projekti Minuteman, që është kundër imigracionit ilegal.

“Dua të shikoj që çdo i huaj i paligjshëm të kapet, të identifikohet dhe të kthehet në vendin e vet”.

Statistikat e qeverisë amerikane tregojnë se mes 150 mijë imigrantëve ilegalë të deportuar në periudhën tetor 2006-qershor 2007, rreth 90 mijë nuk kishin kryer krime.

“Në Amerikë ne kemi ligje. Nëse nuk zbatojmë ligjet për të gjithë, atëhere pyesim veten se çfarë kemi bërë? Kemi krijuar një standart të dyfishtë. Ligji për një grup nuk zbatohet. Një gjë e tillë nuk është kushtetutore. Kushtetuta jonë nuk e lejon një gjë të tillë,” thotë Mike Jarbek.

Agjencia amerikane e imigracionit thotë se nuk i bën deportimit në mënyrë arbitrare, por në bazë të informacioneve specifike të individëve.

Por kjo llogjikë nuk ia lehtëson gjendjen Sandi Doumet. Ajo thotë se do të qëndrojë me burrin e saj në Meksikë dhe do të kthehet rregullisht në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që njëri prej fëmijëve të saj të marrë kujdesin e duhur shëndetsor, pasi vuan nga zemra. Madje ajo shpreson se një ditë e gjithë familja e saj do të jetë në gjendje të jetojë përsëri bashkë në Shtetet e Bashkuara. //ze//

XS
SM
MD
LG