Lidhje

Kryeministrat e Irakut dhe Turqisë bien dakord të shtojnë bashkëpunimin në luftën kundër separatistëve kurdë

  • Dorian Jones

Kryeministrat e Irakut dhe Turqisë ranë dakord të shtojnë bashkëpunimin në luftën kundër separatistëve kurdë në Irakun verior. Marrëveshja u njoftua dje gjatë bisedimeve që ata patën në kryeqytetin turk, Ankara.

Kryeministri irakian Nouri al-Maliki arriti në Ankara në një klimë shqetësimesh që ekziston në Turqi për rigjallërimin e veprimeve të kryengritësve kurdë në Irakun verior.

Ankaraja i ka kërkuar Irakut të ndërmarrë hapa për të ndalur sulmet e kryengritësve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të cilët kanë vrarë dhjetra ushtarë turq gjatë vitit të shkuar. Ankaraja thotë se kjo organizatë përdor bazat në Irakun verior për të ndërmarrë sulme brenda Turqisë.

Pas një takimi prej katër orësh me zotin Maliki, Kryeministri Rexhep Taip Erdogan tha se kishin arritur marrëveshje për të shtuar bashkëpunimin në mënyrë që të ndalen sulmet.

E shfrytëzova takimin për të shprehur vendosmërinë e Turqisë për të luftuar terrorizmin, duke filluar me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Arritëm marrëveshje për një përpjekje më të fuqishme dhe më të efektëshme në këtë drejtim,” tha zoti Erdogan.

Por zoti Maliki i tha udhëheqësit turk se marrëveshja për të ndjekur Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit duhet të miratohet së pari nga parlamenti irakian.

Vëzhguesit politikë thonë se Turqia i ka përforcuar trupat përgjatë kufirit me Irakun verior dhe pritej të paralajmëronte udhëheqësin irakian se durimi i saj po shterron. Turqia ka kërcënuar se do të ndërmarrë një inkursion në Irakun verior për të eliminuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila që nga viti 1984 lufton për autonomi në pjesën juglindore të Turqisë të banuar kryesisht nga kurdët.

Shtetet e Bashkuara dhe Iraku thonë se një operacion i Turqisë brenda kufirit të Irakut do të destabilizonte veriun kurd, i cili është një rajon relativisht i qetë.

Ja ç’thotë Soli Ozel, analist politik turk.

"Nuk mund të vazhdosh gjithnjë me kërcënime pa arritur një pikë kur detyrohesh të tregosh se mund t’i vesh në jetë kërcënimet."


Përveç çështjeve të sigurisë, udhëheqësit e Turqisë dhe Irakut biseduan edhe për probleme tregtare. Turqia premtoi se do të furnizonte më shumë Irakun me energji elektrike.

U diskutua gjithashtu e ardhmja e qytetit verior irakian Kirkuk, i cili është i pasur me naftë. Këtë vit, pritet që ky qytet të mbajë një referendum dhe shumë analistë parashikojnë se banorët do të votojnë në favor të bashkimit me enklavën gjysmë-autonome kurde.

Sipas analistit Aramgan Kuloglu, Ankaraja shqetësohet se nëse kjo ndodh, pasuria e naftës e Kirkukut mund të shërbejë për të financuar krijimin e një shteti të pavarur kurd, gjë që Turqia e kundërshton.

"Ky shtet kurd do të fitonte një fuqi shumë të madhe ekonomike. Synimi i popullit kurd është të krijojë një Kurdistan të madh dhe territori i një Kurdistani të madh do të përfshinte edhe një pjesë të territorit turk, të atij sirian dhe të atij iranian," thotë zoti Kuloglu.


Qeveria e zotit Maliki, e cila është e angazhuar për të mos lejuar copëtimin e Irakut, mendohet se ka të njëjtat shqetësime për Kirkukun. E ardhmja e këtij qyteti pritet gjithashtu të jetë një ndër çështjet që do të diskutohen kur zoti Maliki të vizitojë sot Iranin. //ii

XS
SM
MD
LG