Lidhje

Çeku: Negociatat shtesë - vazhdimësi e panevojshme e procesit


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha sot se bisedimet shtesë 120ditëshe nuk duhet të trajtohen si proces i ri, por si një vazhdimësi e panevojshme e procesit të deritashëm për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai i bëri këto komente pas një takimi me komandantin e NATO-s për Evropën Jugore, admiralin amerikan Harry Ulrich, me të cilin ka diskutuar rrjedhën e procesit politikë dhe rolin e trupave të NATO-s tash dhe pas zgjidhjes së statusit.

Admirali Ulrich përsëriti sot përkushtimin e trupave të NATO-s për sigurinë e Kosovës në tërësinë e kufijve të saj aktual. “Komuniteti ndërkombëtarë është shumë I qartë, ai dëshiron të gjejë një zgjidhje përfundimtare dhe këtë ta bëjë në mënyrë të ligjshme dhe derisa ky proces vazhdon trupat e NATO-s do të jenë shumë të përkushtuara për një mjedis të sigurt për të gjithë", tha admirali Urlich.

Grupi i Kontaktit mblidhet nesër në Londër për të debatuar zhvillimin e procesit të negociatave dhe fill pas këtij takimi treshja e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë do të qëndrojë në Beograd dhe në Prishtinë.

Sipas Prishtinës zyrtare me këtë fillon edhe numërimi i 120 ditëve të negociatave shtesë, ndërsa Beogradi thekson se numërimi ende nuk mund të fillojë. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se kjo periudhë e negociatave duhet të jetë e kufizuar dhe përpjekje e fundit e bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës edhe nga ata që e kundërshtojnë atë. “Do të kërkojmë nga treshja që mos të ketë propozime të reja, por të na ndihmojë që të arrihet progres në çështjet që mund të arrihet progres, mos të humbim kohë duke diskutuar çështjen e statusit, çështjen e pavarësisë, apo elementet e pakos së Martti Ahtisaarit”, theksoi ai.

Kryeministri Çeku tha se përfaqësuesit e Prishtinës nuk kanë mandat të debatojnë asnjë mundësi tjetër për zgjidhjen e statusit të Kosovës përveç pavarësisë dhe se çdo përpjekje për të imponuar çfarëdo zgjidhje tjetër është e papranueshme. Pothuajse askush nuk pret që këto bisedime të afrojnë qëndrimet tërësisht të ndara të Beogradit që kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën dhe Prishtinës e cila pavarësinë e sheh si të padiskutueshme.

Derisa Beogradi i sheh negociatat e reja si mundësi për kompromis Prishtina i cilëson ato si vazhdim të panevojshëm të procesit, vazhdim që është pranuar siç thuhet për hir të ruajtjes së partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në radhe të parë me Shtetet e Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG