Lidhje

Seuli shpreh optimizëm për takimin e 28 gushtit


Korea e Jugut tha se takimi i nivelit të lartë me Korenë e Veriut këtë muaj do të ndihmojë përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund programit bërthamor të Phenianit.

Ministri jugkorean i Ribashkimit Li Ja-Jung tha sot se takimi do të jetë një ngjarje e rëndësishme për udhëheqësit e të dy vendeve të zgjidhin çështjen bërthamore.

Ai tha gjithashtu se Seuli do të diskutojë me Phenianin për përdorimin e lidhjeve hekurudhore dhe automobilistike kur presidenti Roh Moo-Hyn të kalojë kufirin e fortifikuar të gadishullit për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Phenianit.

Dy koretë thanë se udhëheqësit e tyre do të takohen më 28 gusht për bisedime tre-ditore në kryeqytetin koreanoverior, takimi i parë në shtatë vjetë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Japonisë bisedoi sot në telefon me homologun e tij koreano-jugor dhe i bëri atij thirrje të përdorë takimin për t’i kërkuar Phenianit informacion rreth fatit të qytetarëve japonezë të rrëmbyer në vitet 70-të dhe 80-të. //ze//

XS
SM
MD
LG