Lidhje

Forcohen marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë


Gjashtë vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, fillojnë nesër një sërë manovrash ushtarake. Manovrat 9 ditore të quajtura “Misioni i Paqes 2007”, përfshijnë forca ushtarake nga Kina, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Uzbekistani dhe Rusia, si vend organizator. Por forcat kryesore në manovra janë ato të Kinës dhe Rusisë, ndërkohë që këto dy vende po zgjerojnë gjithnjë e më shumë lidhjet ekonomike dhe kulturore. Tregtia vjetore mes tyre ka arritur shumën prej 40 miliard dollarësh.

2007-ta është viti i Kinës në Rusi. Gjatë këtij viti në muzeumin kombëtar në Moskë është hapur një panair i artit kinez. Një vit më parë, 2006 ishte viti i Rusisë në Kinë.

Por mardhëniet Ruso-Kineze datojnë këtu e 4 shekuj më parë, kur perandorët kinezë, siç tregon një broshurë në panair, e konsideronin tregtinë ulje dhe i shikonin të huajt si barbarë. Kështu që ata lejonin tregëti vetëm në kufi. Ndërsa sot, tregtia zë vend kryesor. “Ne duhet të përshpejtojmë dhe të shumëfishojmë bashkëpunimin për burimet energjitike. Duhet të ndjekim hapa pozitiv në kërkimet e naftës, gazit dhe burimeve pyjore dhe të arrijmë të kemi prodhime të përbashkëta.” Kështu u shpreh vitin e kaluar në Pekin, presidenti Hu, me rastin e vizitës së homologut rus Vladimir Putin.

Kina importon lëndë të parë nga Rusia si naftë dhe lëndë drusore dhe eksporton materiale konsumi. Tregtia vjetore është rritur në dhjetë vitet e fundit nga 7 miliard në afro 40 miliard dollarë.

Tregtia pritet të shtohet me përfundimin e naftësjellësit të ri nga Rusia në Kinë. Eksperti rus i çështjeve kineze, Vladimir Myasnikov, thotë se të dy vendet po shtojnë mardhëniet tregtare. “Ne po bashkëpunojmë për ndërtimin e makinerive për energjinë. Jemi duke ndërtuar një central bërthamor për energjinë. Rusia po ndërton turbinat. Po bashkëpunojmë në kërkimet hapsinore. Teknologjia po hap rrugën në tregtinë dypalëshe. “ Vitet e fundit Rusia dhe Kina kanë zhvilluar manovra të përbashkëta ushtarake. Kinezët janë blerësit më të mëdhenj të armëve ruse.

Disa analistë thonë se Rusia po kërkon të forcojë lidhjet ushtarake me Kinën, si rezultat i keqësimit të marëdhënieve me Amerikën dhe NATO-n. Por zv/kryeministri Sergei Ivanov hodhi poshtë këtë ide dy vite më parë kur ishte ministër i mbrojtjes. “Ne nuk po krijojmë blloqe ushtarake. Siç është thënë edhe më parë, manovrat nuk janë kundër ndonjë shteti tjetër.” Shefi i shtabit i ushtrisë kineze Liang Guanglie është dakord. “Manovrat janë në bazë të statutit dhe rregullores së OKB-së dhe nuk synojnë një vend të tretë, nuk cenojnë interesat e një vendi tjetër.” Të dy vendet do të zhvillojnë manovra ushtarake përsëri këtë javë së bashku me vendet anëtare të organizatës së bahskëpunimit të Shangait. //rd//

XS
SM
MD
LG