Lidhje

Berisha: Beogradi po mban në këmbë doktrinën e Millosheviçit për Serbinë e Madhe


Ndërkohë që së shpejti pritet të fillojë një raund i ri bisedimesh për statusin e Kosovës, i cili mendohet se do të jetë i fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se pavarësia është e vetmja zgjidhje që do të garantojë qendrueshmërinë rajonale.

Kryeministri Berisha nuk është kundër negociatave të reja që fillojnë këtë javë por thotë se shtyrja e planit ndërkombëtar për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës përmban rreziqe. Zoti Berisha flet me mosbesim ndaj Rusisë, e cila është rreshtuar krahas Serbisë për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

"Rusia po e bllokon një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për arësyet e veta imperiale dhe për asnjë arësye tjetër."


Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Berisha tha se dyshon që Rusia të mund të ndryshojë qendrim edhe pas katër muaj bisedimesh të pritëshme.

Zoti Berisha është skeptik edhe për synimet e Beogradit. Ai thotë se duke e kundërshtuar planin ndërkombëtar për një Kosovës të pavarur dhe shumetnike, Beogradi po mban në këmbë doktrinën e diskredituar të Millosheviçit për Serbinë e Madhe, e cila shihet si shkaku kryesor për luftrat në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

"Shikoni Beogradin. Çfarë është ai sot? Është doktrina Millosheviç pa forcë. Koshtunica dhe Tadiçi nuk po kërcënojnë të përdorin ushtrinë, nuk po përqendrohen tek ushtria. Por ata po ruajnë të njëjtat parime të Serbisë së madhe."


Kryeministri Berisha paralajmëron kundër ndarjes së Kosovës dhe thotë se një shtet serb në pjesën veriore nuk është zgjidhja për serbët e atjeshëm. Është e rrezikshme, thotë ai, të ndryshosh kufijtë ekzistues pasi kjo do të nxiste kërkesa për autonomi etnike në rajone të tjera, biles edhe brenda vetë Serbisë.

"Unë e di për shembull se ka më shumë shqiptarë në Serbinë jugore se sa ka serbë në Kosovën veriore. Ka më shumë boshnjakë në Sanxhak se sa serbë në Kosovën veriore. Mendoj se ruajtja e kufijve ndërkombëtarë është e vetmja rrugë."


Zoti Berisha thotë se ka rëndësi vendimtare që politikanët shqiptarë në Kosovë t’i shtrijnë dorën pakicës serbe dhe t’i bindin ata se në një Kosovë të pavarur nuk do të jenë të rrezikuar por do të kenë një të ardhme të sigurt. //ii

XS
SM
MD
LG