Lidhje

Presidenti Bush thotë se ekonomia amerikane vazhdon të rritet


Presidenti Bush u takua me ekipin e tij të ekonomisë dje për të diskutuar atë që e cilësoi si “ekonomia amerikane në lulëzim.”

“Që nga viti 2003, ekonomia jonë ka shtuar mbi 8.3 milionë vende të reja pune gjatë një periudhe thuajse 4 vjeçare rritjeje të pandërprerë. Ekonomia jonë vazhdon të rritet me ritme të qëndrueshme. Gjatë 3-mujorit të fundit ajo shënoi një rritje prej 3.4 për qind”.

Presidenti vlerësoi uljen e taksave gjatë administratët së tij për rritjen ekonomike dhe tha se kjo masë do të gjenerojë 167 miliardë dollarë shtesë nga të ardhurat e taksave.

Ai përdori një ton të ashpër ndaj Kongresit të kontrolluar nga demokratët. Presidenti i kritikoi demokratët se po përpiqen të rrisin shpenzimet federale me mbi 200 miliardë dollarë gjatë 5 viteve të ardhshme. Presidenti tha se kjo mund të sillte rritjen më të madhe të taksave në historinë amerikane.

“E kam të qartë se demokratët kanë kontrollin e Kongresit dhe si rezultat kontrollojnë edhe politikat financiare. Por edhe unë kam një farë kontrolli, që quhet veto, dhe kam në Kongres votat për të mbajtur në fuqi veton. Prandaj do ta përdor veton për të mos lejuar ngritjen e taksave dhe për të mbajtur nën kontroll shpenzimet qeveritare”.

Administrata parashikon se deficiti buxhetor i Shteteve të Bashkuara do të bjerë në 205 miliardë dollarë këtë vit – niveli më i ulët që në vitin 2002. Megjithë optimizmin e tij për ekonominë, Presidenti nuk diskutoi shqetësimet për rënien e tregut të pasurive të patundshme dhe rritjen e interesave të kredive. //ze//

XS
SM
MD
LG