Lidhje

Qumështi i gjirit, ushqimi më i mirë për foshnjet e sapolindura


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se qumështi i gjirit, është ushqimi më i mirë për foshnjet e sapolindura. Por statistikat botërore tregojnë se qumështi i gjirit nuk përdoret menjëherë mbas lindjes. Në vazhdim ju njohim me një qytet të madh në amerikan, ku po iu mësohet nënave të reja se qumështi i gjirit që krijohet menjëherë mbas lindjes, është më i mirë se ai i prodhuar në fabrikë.

Në orët e para mbas lindjes, specialistët e shëndetsisë thonë se nuk ka ushqim më të mirë për foshnjen e porsalindur se sa qumështi i nënës. Kulloshtra, siç e quajmë zakonisht, është mjaft i mirë për bebet sepse është i pasur me antitrupa.

Por megjithatë fushatat tregtare që promovojnë ushqimin e fabrikuar të bebeve kanë qenë shumë të suksessshme, kështu që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nisur fushata për promovinin e qumështit të gjirit për të përballur konkurrencën. Në shumë vende të zhvilluara punonjësit e shëndetësisë janë të përgatitur për të ndihmuar nënat e reja për teknikat e të ushqyerit me gji.

Vitet e fundit, ka pasur një lëvizje në rritje për të nxitur më shumë nëna që të ushqejnë me gji bebet e tyre. Denis Munoz nga New York thotë se ajo do ta kishte ushqyer me gji fëmijën e saj, nëse mjeku do t’i kishte thënë të mirat e qumështi të gjirit.

“Mjekët asnjëherë më parë nuk më kanë folur për të. Nëse do të më kishin folur, unë do ta kisha përdorur qumështin e gjirit.”

Për vite me rradhë spitalet publike në New York i kanë furnizuar falas me qumësht të fabrikuar nënat e reja. Disa studime tregojnë se nënave që iu është dhënë qumësht i fabrikuar falas kanë më pak gjasa të ushqejnë me gji fëmijët e tyre.

Dr. Suzan Vershalek që punon në spitalin Bellevue të New Yorkut thotë se kjo nuk është e mirë për fëmijën.

“Nëse i jepni qumësht të fabrikur që në fillim, atëherë kjo ndikon në ecurinë e mëtejshme, dhe ka fëmijë që nuk pijnë më qumshtin e gjirit”.

Alan Aviles, president i komunitetit të shëndetit dhe Spitaleve në New York, thotë se po përpiqen ta ndryshojnë këtë prirje dhe të nxisin ushqimin e foshnjave me qumësht gjiri.

“Ne duam të japim një mesazh shumë të qartë, të padiskutueshëm se ushqimi me qumësht gjiri ndihmon shëndetin e të sapolindurve. Është zgjedhja më e shëndetshme”.

Studime të tjera tregojnë se gratë e punësuara, zakonisht zgjedhin ushqimin e fabrikuar në vend të qumshtit të tyre.

Kim Gandy është presidente e Organizatës Kombëtare të Grave, një grup aktivist për të drejtat e grave.

“Nëse i thoni një nëne të re që “ti duhet ta ushqesh me qumësht gjiri fëmijën tënd sepse është mirë për të” dhe nga ana tjetër punëdhënësi i saj nuk i krijon kushtet që ajo të ushqejë fëmijën me gji, atëherë ju e bëni nënën e re që të ndjehet në faj, pasi ajo nuk ka mundësi për të realizuar këtë gjë . Pra nuk keni zgjidhur asgjë”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se qumështi i gjirit i jep foshnjës të gjitha vlerat ushyese për të cilat ka nevojë gjatë 6 muajve të parë të jetës, dhe të paktën gjysmën e tyre gjatë gjashtë muajve të tjerë. Është një dhuratë që nëna e re i bën fëmijës së saj, duke e ndihmuar të mbrohet nga sëmundjet dhe të ketë imunitet gjatë gjithë jetës. //ze//

XS
SM
MD
LG