Lidhje

Ishinger: Negociatat Prishtinë-Beograd shansi i fundit për një zgjidhje


Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, Frank Wisner, Wolfgang Ischinger dhe Alexander Khartchenko, shkojnë nesër në Beograd për të vazhduar të shtunën dhe të dielën në Prishtinë me çka fillon edhe procesi i negociatave shtesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Treshja diplomatike fillon atë që quhet diplomaci e vajtje ardhjeve pas debateve paraprake në takimin e grupit të Kontaktit sot në Londër ku janë diskutuar aspektet teknike të negociatave. Para takimit të sotëm të Grupit të Kontaktit, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, e cili përfaqëson Bashkimin Evropian ka deklaruar se Beogradit dhe Prishtinës po u afrohet edhe një mundësi, ndoshta e fundit për të gjetur një zgjidhje. Nëse do të kenë sukses, do të jetë suksesi i tyre dhe nëse dështohet do të jetë dështimi i tyre, ka deklaruar ambasadori Ishinger, një diplomat që shquhet si njohës i mirë i rrethanave në Evropën Juglindore.

Por, pothuajse nuk ekziston mundësia që të dyja palët të afrojnë qëndrimet e tyre tërësisht të kundërta. Beogradi ngul këmbë që të ruajë sovranitetin e tij mbi Kosovën, ndërsa Prishtina ngul këmbë që pavarësia është e pa negociueshme. Bisedimet shtesë janë mirëpritur nga Beogradi, i cili i sheh ato si mundësi për një kompromis që do të hiqte nga rendi i ditës pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina i ka pranuar ato zemërthyer duke i cilësuar si të panevojshme dhe siç thuhet vetëm për të ruajtur partneritetin me komunitetin ndërkombëtarë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara.

Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e statusit të Kosovës kaluan në duart e Grupit të Kontaktit, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dështoi për të siguruar një konsensus ndërkombëtarë për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur, siç parashihet me planin e krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari.

Prishtina ngulë këmbë që propozimi i zotit Ahtisarri të mbetet i paprekur, ndërsa për Shtetet e bashkuara dhe diplomatët e Bashkimit Evropian ai propozim duhet të jetë bazë e negociatave shtesë.

Beogradi dhe Moska ngulin këmbë që ky propozim ka marrë fund. Ndryshe nga negociatat më shumë se një vjeçare, në negociatat e fundit nuk janë të ndarë thellësisht në qëndrime vetëm Prishtina dhe Beogradi, por edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. //ze//

XS
SM
MD
LG