Lidhje

Prishtina: Asnjë kompromis të ri për statusin e Kosovës


Një raund i ri negociatash, i cili mund të jetë dhe përfundimtar, filloi me takimet në Beograd dhe Prishtinë, për të vendosur rreth statusit të Kosovës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood, analizon ato që priten në 4 muajt e ardhshëm të bisedimeve të ndërmarra nga diplomatët rusë, gjermanë dhe amerikanë.

Duke e quajtur vehten Trojkë, tre diplomatët e nivelit të lartë shkuan në Prishtinë dje pasi vizituan Beogradin. Ata zhvilluan bisedime për rreth 3 orë me udhëheqësit shqiptarë, të cilët përbëjnë grupin negociues nga të gjitha partitë në Kosovë. Ata u takuan gjithashtu edhe me Administratorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me komandantë të forcave ushtarake nën komandën e NATO-s, e cila ka qënë përgjegjëse për sigurinë në Kosovë që nga viti 1999.

Duke folur me gazetarët, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Frank Wisner tha se trojka ka si qëllim të ndërtojë urat dhe të sjellë përballë të dy palët për hir të paqes.

“Ne do të jemi dakort me çfarëdo që palët të bien në kompromis. Ne nuk jemi këtu për të bërë propozime. Ne jemi këtu të dëgjojmë mendimet tuaja dhe të arrijmë në mirëkuptim”.

Wisner tha se udhëheqësit Serbë e siguruan Trojkën se ata janë të vendosur për një bashkëpunim të plotë për të arritur marrëveshje. Të dy palët kanë pozicione të kundërta, Serbia kundërshton pavarësinë dhe shiptarët nuk pranojnë asgjë më pak se pavarësia.

Diplomati gjerman, Wolfang Ischinger, pohon se nuk do të jetë e lehtë për t’i sjellë të dyja palët në një mendje.

“Unë mendoj se është një fillim i mirë, për atë që nuk është një mision shumë i lehtë për Trojkën”.

Ischinger tha se Kosova është shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian.

I dërguari i Rusisë, Alexander Botsan-Kharchenko tha se Trojka është duke punuar nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

“Kjo to të thotë se në përgjithësi procesi i statusit qëndron në kuadrin e OKB-së. Ne do të ndihmojmë sa të mundemi për një zgjidhje të bazuar në kompromis, një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës. Dhe kështu, ne mundësojmë Këshillin e Sigurimit të miratojë këtë zgjidhje”.

Muajin e fundit, Rusia bllokoi votimin në Këshillin e Sigurimit mbi një plan për pavarësi të mbikqyrur të Kosovës, të propozuar nga i dërguari i OKB-së, i cili kishte zhvilluar për 10 muaj bisedime të pafrytshme dhe nuk mundi afronte qendrimet diametralisht të kundërta midis Beogradit dhe Prishtinës. Duke qenë përkrahëse e Serbisë, Rusia është iniciatorja e këtij raundi të ri bisedimesh.

Trojka do të takohet përsëri me të dy palët brenda disa javësh. //iç

XS
SM
MD
LG