Lidhje

Inxhinieria bio-mjekësore, një fushë e re shkencore


Dikur ishte diçka që shihje vetëm në filmat fantastiko shkencorë: robotë që ndihmonin mjekët në operacione delikate. Sot, në një fushë që po zhvillohet me shpejtësi, të quajtur shkencë e inxhinierisë biomjekësore, fantazia është kthyer një fakt shkencor. Studentët e Universitetit Carnegie Mellon në Pittsburgh të Pensilvanisë po punojnë me spitalet dhe kirurgët për të marrë aftësitë e duhura për të krijuar pajisjet biomjekësore të së ardhmes.

Përparimi në teknologjinë mjekësore nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Neurokirurgu James Burgess i Spitalit Allegheny beson se në fillim vjen ideja. Prandaj ai krijoi një kurs të quajtur “Kirurgji për Inxhinierë”. Në Spitalin e Veteranëve, studentët bëhen gati për një mësim mbi robotikën për Sistemin da Vinci të Kirurgjisë intuitive.

“Kjo është teknologji e re moderne që vetëm së fundmi ka filluar të eksplorohet dhe vihet në praktikë në sallat e operacionit. Por kjo lloj teknologjie mund të frymëzojë një inxhinier të bio-mjekësisë ose të robotikës thjesht duke krijuar idenë e asaj që shohim, apo çfarë është në fakt në dispozicion të kirurgëve sot”.

Dr. Marco Zenati e përdor vazhdimisht sistemin Da Vinci për bajpase në zemër. Ai po kryen një ndërhyrje kirurgjike, por jo me një pacient të vërtetë. Ai ka vendosur një mëlçi derri në një kraharor të rremë të një skeleti plastik.

“Në kirurgjinë kompjuterike ose robotikë, mes dorës së kirurgut dhe majës së instrumentit që bën operacionin është një mikroprocesor kompjuteri i cili të jep aftësi mbinjerëzore. Një shembull janë dridhjet: Edhe dora më e sigurt nuk i shpëton dot dridhjeve, kështuqë ato eliminohen”.

Gjatë sesionit katër mujor, studentët ndjekin punën e kirurgëve. Në seancat tre orëshe çdo javë, ata vëzhgojnë operacionet që varen nga instrumentet robotike dhe pajisjet kompjuterike të krijuara nga inxhinierët.

Duart e Dr. Zenatit nuk i prekin asnjëherë pacientët. I ulur para një tavoline ku janë vendosur kontrollet e duarve dhe këmbëve, ai lëviz krahët robotikë që mbajnë një kamerë të vogël dhe instrumente kirurgjike. Imazhet me tri përmasa që ai i sheh me lente si ato të dylbive janë dhjetëfishuar.

“Është e frikshme në një farë kuptimi, por kur fillon ta eksplorosh këtë fushë, ajo kthehet në një realitet. Është në fakt, operacion i vërtetë dhe siguria e pacientit është gjëja kryesore. Vetëm se bëhet përmes kompjuterit”.

Studentët shkojnë me radhë për të bërë prova tek tryeza e operacionit, që duket si një lojë elektronike. Por James Burgess thotë se kjo është çështje serioze. Përvoja direkte i bën studentët e inxhinierisë të mendojnë si kirurgë.

“Kjo është ideja, që t’i angazhojmë studentët që herët me këtë teknologji dhe mbase të hartojmë disa projekte të reja përtej këtij kursi”.

Studentët pasuniversitarë të inxhinierisë mekanike pikërisht këtë duan të bëjnë. Njëri prej tyre, Michael Despenza, thotë:

"Nëse punojmë të gjithë së bashku, ku i dihet, mund të shërojmë botën”. //kk//

XS
SM
MD
LG