Lidhje

Shekspiri zbret në Parkun Qendror të Nju Jorkut


Shfaqjet në natyrë të dramave të Shekspirit në stinën e verës në Parkun Qendror të Nju Jorkut janë një traditë e këtij qyteti qysh nga viti 1957. Këtë vit, producentët e Teatrit Publik kanë zgjedhur temën e dashurisë, duke e hapur sezonin me tragjedinë “Romeo dhe Xhulietën”. Është hera e parë që ata vënë në skenë këtë dramë në Park dhe në programin e këtij viti kanë futur edhe komedinë "Ëndrra e një nate vere”:

Për 50 vjet me radhë, njujorkasit shkojnë me shumë dëshirë në festivalin veror të Shekspirit në Parkun Qendror. Nën qiellin e natës, në teatrin e hapur Delacorte, aktorët, të njohur e të panjohur, sjellin në jetë personazhet e Shekspirit. Oskar Eustis është drejtor artistik i Festivalit.

"Shekspiri është shkrimtari më klasik që kemi. Të gjithë janë dakord se Shekspiri është shkrimtari më i madh i gjuhës angleze dhe shumica e njerëzve mendojnë se ai është ndoshta shkrimtari më i madh në historinë e botës."

Sezoni i këtij viti u hap me tragjedinë "Romeo dhe Xhulieta," që flet për dashurinë e dy adoleshentëve. Është një tragjedi që për shekuj me radhë ka prekur zemrat e njerëzve në të gjithë botën. Eustis thotë se misioni i festivalit është pikërisht të krijojë emocione të ngjashme mes njerëzve të Nju Jorkut.

"E reja e madhe që sjellin veprat e Shekspirit në Park është ideja se ky shkrimtar u takon të gjithëve prandaj duhet t’u jepet njerëzve falas."

Por vetëm ata që kanë kohë të lirë kanë mundësi të zenë radhën që në mëngjes për të marrë biletat falas të cilat shpërndahen në orën 1 pasdite. Megjithë vapën, në radhë mund të shikosh më shumë se 500 vetë. Shumica e tyre thonë se ja vlen të presësh.

"Pasi ke parë shfaqjen të duket sikur ke takuar disa nga personazhet më të mira në jetë dhe në fakt Shekspiri nuk është si një film të cilin e harron me kalimin e kohës. Kur shikon Shekspirin e luajtur si duhet, atë e mban mend gjithë jetën", thotë njëri prej tyre.

Ai që është në krye të radhës, ka kaluar natën këtu. Spiro Philips thotë se është i pastrehë dhe shpesh rri në Parkun Qendror.

"Erdha këtu mbrëmë nga ora 12, kam me vete edhe krevatin portativ kështu që fjeta këtu. Ishte shumë mirë."

Ai thotë se Shekspiri i luajtur në Park është më interesant se sa shumica e shfaqjeve në Broduej ndërsa “Romeo dhe Xhuljeta” është drama e tij e preferuar.

"Është një dramë e mrekullueshme, një histori tragjike dashurie. Ajo pi një ilaç që e tregon si të vdekur ndërsa Romeoja vret veten sepse nuk mund të jetojë më pa të. Por kur asaj i del ilaçi, edhe ajo vret veten sepse nuk mund të jetojë dot pa Romeon."

Në radhë takojmë edhe një regjisore teatri për fëmijë e cila prej kohësh vjen në Park për të parë dramat e Shekspirit:

"Mendoj se shfaqjet tërheqin njerëz që jo domosdo do të donin ta shikonin Shekspirin por së pari shfaqjet janë falas dhe së dyti këtu luajnë aktorë shumë të mirë, të cilët njerëzit do të dëshironin t’i shihnin në skenë. Gjithashtu, njerëzve u pëlqen të shikojnë dhe dëgjojnë fjalët e Shekspirit, që janë frymëzim i madh për të gjithë."


I fundit që arriti të marrë biletë kishte ardhur në radhë në orën 9 të mëngjesit. Qindra të tjerë që pritën me orë të tëra u shkoi pritja kot. Menaxheri i teatrit, Kurt Lutman, thotë se ishte tepër i zënë dhe nuk kishte llogaritur se biletat nuk mjaftonin.

"Ne u thamë njerëzve, jeni të mirëpritur të rrini në radhë por nuk e dimë nëse do të keni fat.'"

Por ata që nuk hynë dot herën e parë mund ta provojnë përsëri për të parë "Romeo dhe Xhulietën” ose “Ëndrrën e një nate vere”. //kk//

XS
SM
MD
LG