Lidhje

Marakesh: Shumë të pasur po e kthejnë atë në vendpushimin e tyre


Investitorët e huaj të pasurive të patundshme po shkojnë në Marrakech, një qytet turistik në Marok me shpresën për të patur pronën e tyre në këtë pjesë të Afrikës së Veriut. Shumë shtëpi tradicionale marokene po restaurohen ndërsa të pasurit dhe të famshmit e po e kthejnë Marokun në vendpushimin e tyre të përhershëm.

Marrakeshi po bëhet një vend i kërkuar falë dimrave të butë dhe peisazheve mbresëlënëse. Rritja e kërkesës për pasuri të patundshme po e transformon qendrën bohemiane arabe në një qytet të ngjashëm me qendrat amerikane të pushimit në breg të oqeanit. Ngjyrat, shumëllojshmëria dhe gjallëria në Marrakesh po tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë të sofistikuar dhe me shije. Falë kësaj tërheqjeje, zhvillimi i tregut të shtëpive është rritur në gjithë kufijtë e qytetit.

Shumë nga banorët e rinj po blejnë prona në pjesën e vjetër të qytetit të njohur si Medina. Në rrugët plot zikzake është zemra e qytetit. Brenda Medinës ka shumë dyqane tradicionale dhe punishte artizane. Shtëpitë tradicionale në Medina quhen riade, që në arabisht do të thotë kopësht. Ndërtuar përreth një oborri, jeta në një riad është larg botës jashtë. Me mure të trasha dhe pak dritare, shumica e dritës natyrale vjen nga oborri. Sot më shumë se 650 riade janë blenë nga evropianë dhe janë restauruar në shtëpi moderne pushimi.

Abdellatif Ben Abdellah është pronari i një riadi tradicional. Ai thotë se riadet tradicionale në Marakesh duhet të restaurohen dhe të mirëmbahen nëse qyteti do të vazhdojë të jetë një destiancion turistik. Struktura e brendshme e shtëpive reflekton jetën tradicionale marokene e cila e vë theksin tek rëndësia e familjes. Marrakeshi ka përjetuar një katërfishim çmimesh gjatë 10 vjetëve të fundit dhe çmimet vazhdojnë të rriten me 20 përqind në vit. Një nga riadet më luksoze të qytetit është El Fenn.

I hapur si një hotel i vogël me nëntë dhoma në fund të vitit 2004, El Fenn është bërë një nga hotelet më popullore në Medina. Frederic Scholl, menaxheri i hotelit thotë se Maroku ndryshe nga Dubai ka shumë histori për t’u ofruar vizitorëve. Blerësit e rinj megjithatë po shohin tani më tej, rreth 17 kilometra larg Marrakeshit në Palm Grove një oaz me 150 mijë palma dhe me pamje nga malet Atlas me dëborë. Në Palm Grove kanë filluar ndërtimet për hotelin e ri Mandarin Oriental.

Në një sipërfaqje prej 7 hektarësh, hoteli do të ketë 161 dhoma me një sipërfaqje prej 80 metrash katrorë. Jaouad Kadari është menaxheri i hotelit. Ai thotë se pjesë e projektit është mbjellja e 100 mijë pemëve. Hoteli do të jetë i rrethuar me 45 vila në një sipërfaqje prej 50 hektarësh me një çmim fillestar prej 4 milion eurosh. Me këtë çmim të kripur, vetëm të pasurit mund të përballojnë një vilë aty.

Megjithatë Kadari thotë se banorët do të jenë në gjendje të jetojnë në një pallat me çmim të njëjtë sa një apartament në Londër apo në Nju Jork. Marrakeshi ka pritur prej vitesh personalitete ndërkombëtare nga Winston Churchill deri tek Yves St Laurent. Në vitet 1990 evropianët filluan të zbarkojnë në Marrakesh për të krijuar shtëpitë e tyre të ëndërrave siç i gjen në përrallat 1001 netët arabe. //ii

XS
SM
MD
LG