Lidhje

Kuba në 81 vjetorin e Fidel Kastros


Presidenti kuban në detyrë, Raul Kastro ka premtuar ndryshime një vit pasi mori pushtetin. Vëllai i tij i madh Fidel Kastro mbushi sot 81 vjeç dhe nuk ka dalë në publik që kur u operua në vitin 2006. Raul Kastro po lë gjurmët e tij në qeverisjen komuniste të Kubës. Por angazhimi i tij për të zbatuar reforma ekonomike dhe përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur nivelin e ndryshimeve dramatike politike të parashikuara nga shumë të mërguar kubanë të vendosur në Florida.

Shumë të mërguar kubanë në Miami shpresonin se kur Fidel Kastroja u shtrua në spital në fund të korrikut 2006, se ai nuk do ta arrinte dot 81 vjetorin.

Por fotografitë ku ai shfaqet në gjendje më të mirë dhe mesazhet e rregullta të udhëheqësit komunist, vazhdojnë të dalin në gazetën shtetërore të Kubës.

Raul Kastro zuri vendin e udhëheqësit të sëmurë kuban gjatë festimeve më të fundit të Ditës Kombëtare të Revolucionit, hera e parë që Fidel Kastroja nuk mori pjesë në to që prej 48 vjetësh.

Por Xhemi Sushliki nga Universiteti i Miamit thotë se fjalimi i Raul Kastros tregon se Partia Komuniste po e mban me grusht të fortë pushtetin.

“Njerëzit kanë frikë prej tij. Ushtria është plotësisht besnike ndaj tij dhe aparatit partiak që ai ka nën kontroll. Kështu ai ka frenat e pushtetit, si edhe ministrinë e brendshme dhe sigurimin. Mendoj se ai do t’i mbajë nën kontroll gjërat për një periudhë të pacaktuar”.

Në Kubë, jeta e përditshme nuk ka ndryshuar, megjithë parashikimet se sëmundja e Fidel Kastros do të shkaktonte një kryengritje kundër regjimit komunist.

Raul Kastro po shpalos edhe programin e tij afatgjatë, përfshirë reformat ekonomike të stilit kinez, veçanërisht në fushën e bujqësisë.

Paolo Spadoni, i Universitetit Rollins të Floridës thotë se Raul Kastro është zotuar që të tërheqë investime të huaja dhe të zbatojë “ndryshime strukturore dhe konceptuale”, për të zgjidhur problemet.

“Raul Castro ndoshta do të ndërmarrë disa reforma të kufizuara dhe graduale të tregut. Kështu unë shoh disa ndryshime, por jo një ndryshim të plotë dhe të menjëhershëm të sistemit”.

Duke shfaqur gatishmërinë për të marrë në konsideratë reformat ekonomike, Raul Castro ka krijuar emrin si një politikan radikal.

Por Paolo Spadoni thotë se ai ka lejuar një farë hapjej në politikën kubaneze që kur mori drejtimin.

“Pak më shumë hapësirë për debat politik, për të debatuar sistemin, ligjshmërinë, korrupsionin, të metat e sistemit. Ka pasur një prirje më të madhe në këtë drejtim dhe disa akademikë kubanezë janë cituar në gazeta duke kritikuar sistemin. Kjo është diçka e re”.

Raul Kastro ka treguar edhe një farë hapjeje ndaj Shteteve të Bashkuara, duke bërë madje thirrje edhe për bisedime me Uashingtonin, kur Presidenti Bush të mos jetë më në atë post.

Motra e Fidelit dhe Raulit, Huanita Kastro jeton në Miami. Ajo beson se reformat mund të ndodhin edhe pa ndryshuar qeveria në Havanë.

“Për momentin, Rauli është alternativa më e mirë. Ndoshta ai mund të sjellë ndryshimet për të cilat ka nevojë populli kuban, për të jetuar në demokraci në të ardhmen”.

Fidel Castro-ja, i cili mbushi 81 vjeç, thotë se mendimi i tij merret për çdo vendim të qeverisë.

Duke parë shpresat e pakta që Raul Castro të zhvillojë zgjedhje demokratike, të mërguarit kubanë duket se i janë nënshtruar faktit që demokracia nuk do të vijë edhe për shumë vjet të tjerë. //ze//

XS
SM
MD
LG