Lidhje

Shqipëri: Muajin e ardhshëm, zgjedhje për një vend bosh në parlament


Në Shqipëri, muajin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet për një vend të mbetur bosh në parlament, pas lënies së mandatit te deputetit nga zoti Bamir Topi, i cili në korrik u zgjodh në postin e kreut të shtetit shqiptar.

Sot Presidenti Bamir Topi dekretoi zgjedhjet e reja në zonën 31 në kryeqytet te cilat do të mbahen më 23 shtator. Kreu i shtetit i ka bërë thirrje partive politike që të kontribuojnë për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm e transparent duke përmbushur maksimalisht standartet.

Votimet e shtatorit nuk sjellin asnjë përmbysje në konfiguracionin e parlamentit dhe raportet mes forcave. Megjithatë të dy krahët e politikës pritet t'i kushtojnë vëmendje, pasi këto zgjedhje mund të shërbejnë si një barometër të përkrahjes që ato gëzojnë.

Demokratët do të duan të rikonfirmojnë fitoren në zgjedhjet e 2005, ndërkohë që një fitore e mundshme e së majtës do te ishte më shumë një fitore morale për opozitën. Zona 31 njihet për një mbështetje më të madhe për të djathtën. Ajo ka mbi 38 mijë votues.

Në zgjedhjet e vitit 2005, ku morrën pjesë 18 mijë votues, kandidati demokrat Bamir Topi fitoi me një diferencë prej 3 mijë votash kundrejt kandidates socialiste Mimi Kodheli. Deri më tani as koalicioni qeveritar dhe as ai i majtë nuk kanë shpallur kandidatët e rinj.

Në kampin e së djathtës mund të ketë probleme ku kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi ka shpalur kandidaturën duke kërkuar edhe mbështetjen e partisë demokratike dhe forcave të tjera të së djathtës. //ze//

XS
SM
MD
LG