Lidhje

Irak: 10 të vrarë dhe 6 të plagosur nga një sulm vetëvrasës


Policia irakiane njoftoi se të paktën 10 veta humbën jetën dhe 6 të tjerë u plagosën, pasi një vetëvrasës hodhi në erë një kamjon mbi një urë, e cila shtrihet në autostradën kryesore, që lidh Bagdatin me zonat në veri.

Policia tha se shpërthimi shkatërroi strukturën prej betoni të urës, duke bërë që 3 vetura të binin në lumë. Ura, afër qytetit të Taxhit, lidh Bagdatin me Mosulin.

Më parë, ushtria amerikane njoftoi se forcat e koalicionit vranë 4 milicë të ushtrisë Mahdi dhe ndaluan 8 veta në lagjen Sadër të Bagdatit. Autoritetet ushtarake amerikane thanë se mendohej që të dyshuarit kishin gisht në sulmet kundër trupave të koalicionit dhe irakianëve të moderuar.

Ushtria tha gjithashtu se 16 terroristë të dyshuar u ndaluan gjatë operacioneve të sotme, të cilat kishin në shënjestër terroristë të huaj dhe rrjete shpërthyese në luginën e lumit Tigër në veri të kryeqytetit.

Ushtria amerikane njoftoi gjithashtu për vrasjen e 5 ushtarëve të tjerë amerikanë në Irak. //ze//

XS
SM
MD
LG