Lidhje

Shqipërisë i jepen 175 mijë dollarë për shuarjen e zjarreve


Shtetet e Bashkuara i kanë akorduar Shqipërisë një grant prej 175 mijë dollarësh për shuarjen e vatrave të zjarrit të cilat prej disa javësh kanë djegur qindra hektarë sipërfaqe në të gjithë vendin. Ky është fondi i dytë i ndihmës financiare që jepet nga agjencia amerikane Usaid.

Në korrik, qeverisë shqiptare iu dhanë 50 mijë dollarë për përballimin e shpenzimeve të avionit ukrainas që u përdor për shuajtjen e vatrave të rrezikshme të zjarrit. Edhe fondi i dytë do të financojë karburantin dhe kostot operacionale të avionëve që u përdorën për vënien nën kontroll të zjarreve në pjesën veriore dhe verilindore të vendit si dhe do të sigurojë ndihmesë afatgjatë për departamentin e Emergjencave civile.

Në Shqipëri nuk ka ende një bilanc zyrtar të dëmeve të shkaktuara nga flakët që përfshinë territorin e vendit nga veriu në jug. Në pjesën më të madhe të rasteve, ndërhyrjet e mjeteve shqiptare ishin të kufizuara pasi zjarret u përhapen edhe në zonat e thella malore.

Operacionet nga ajri të avionëve dhe të helikoptërevë të ardhur nga Italia e Gjermania ishin vendimtare për të kufizuar dëmet e mëdha që i janë shkaktuar mjedisit. //ze//

XS
SM
MD
LG