Lidhje

Komandanti i Natos në Kosovë paralajmëron për trazira


Komandanti i forcave të Natos në Kosovë, Roland Kather tha sot se po shteron durimi dhe paralajmëroi se mund të ketë keqësim të gjendjes nëse ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje për çështjen e statusit brenda periudhës së negociatave prej 120 ditësh.

Gjenerali Kater thotë se në këtë moment në procesin për statusin përfundimtar të Kosovës dëshiron t’u përcjellë një numër mesazhesh politikanëve të angazhuar në proces: "Gjendja aktualisht është e qetë, por nuk është e qëndrueshme, përkundrazi është e paparashikueshme. Një mesazh tjetër që dua të theksoj është se KFOR-i është i përgatitur dhe se po bëjmë detyrat tona, por dua të shtoj se durimi nuk është i pafund dhe politikanët duhet të gjejnë një zgjidhje sa më parë që të jetë e mundur".

Gjenerali gjerman tha se e ka të qartë se ky është një proces shumë i ndërlikuar për politikanët, si rrjedhojë e qëndrimeve të skajshme të palëve në bisedime, por paralajmëroi që nëse periudha 120 ditëshe nuk sjell zgjidhje, do të pasojë një gjendje edhe më e ndërlikuar: "Pa dyshim gjendja do të përkeqësohet pas 120 ditëve dhe duhet të bëjmë ç’është e mundur për ta mbajtur nën kontroll". Ai shtoi se forcat e tij në Kosovë janë udhëzuar të jenë të përgatitura për çdo skenar dhe se në rrethana të tilla ka elementë radikalë presin për ta nxjerrë gjendjen jashtë kontrollit: "Shqetësimi im kryesor është mundësia që ndonjë trazirë politike të shfrytëzohet nga individë ekstremistë, të cilët presin për një shkëndijë dhe mund të rezultojë çdo gjë në trazira. Kjo do të pasohet nga një reaksion zinxhir dhe dhuna mund të dalë jashtë kontrollit. Për këto skenare po përgatitet KFOR-i. U kam dhënë udhëzime të qarta trupave të jenë të përgatitur për çdo gjë që mund të ndodhë", përfundoi Kather.

XS
SM
MD
LG