Lidhje

Wisner: Ecuria e procesit të statusit pas 10 dhjetorit varet nga Prishtina dhe Beogradi


I dërguari amerikan në treshen ndërkombëtare për negociatat 120 ditëshe për Kosovën thotë do të varet nga Prishtina dhe Beogradi se si do të ecet me statusin e Kosovës pas 10 dhjetorit. Ambasadori Frank Wisner tha se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e Kosovës është mëse i njohur. Ai tha se treshja punon në bazë të parimeve të Grupit të Kontaktit, të cilat e përjashtojnë ndarjen.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni si shkoi vizita e parë e treshes në rajon?

Amb. Frank Wisner: Përfaqësuesi rus, ai evropian dhe unë patëm shansin të takonim autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës, bëmë të qarta synimet e misionit tonë si treshe, ua bëmë të qartë se kjo ishte një mundësi për palët që të gjenin pika të përbashkëta dhe se ne duhej ta përfundonim misionin tonë me shpejtësi në mënyrë që Grupi i Kontaktit t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm deri më 10 dhjetor. Palët na dëgjuan, u zotuan se do të merrnin pjesë në këtë periudhë intensive angazhimi, na dhanë qëndrimin e tyre fillestar, kështuqë ne do të takohemi përsëri për të analizuar më në detaje, çdo lloj ideje që ata mund të kenë për mënyrat sesi mund të kapërcehen mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner, deri në këtë vizitë ndarja e Kosovës nuk diskutohej fare, por tani nuk përjashtohet nëse palët bien dakord. Pse ky ndryshim?

Amb. Frank Wisner: Para së gjithash asgjë nuk ka ndryshuar dhe besoj se pohimi se ne jemi të gatshëm të shprehemi në favor të ndarjes, nuk u tha asnjëherë dhe keqinterpretimi u sqarua nga Ambasadori Ischinger. Megjithatë ne u bëmë të qartë palëve dy pika të rëndësishme. Së pari, ne veproojmë nën parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit. Në këto parime është thënë shumë qartë se nuk do të ketë ndarje të territorit të Kosovës. Së dyti, sigurisht nëse palët arrijnë ndonjë kompromis për çdo lloj ideje për të ardhmen ne do ta shqyrtojmë. Nuk mund të veprojmë ndryshe. Ne po shohim për mundësi ku mund të ndërtohen ura. Por ne nuk po kërkojmë ndarjen e Kosovës. Mundësia që ne të marrim një nismë të tillë është komplet e përjashtuar. Roli ynë nuk është të ndërmarrim inciativa. Ne po përpiqemi të bindim palët që të paraqesin pozicionet e tyre.

Zëri i Amerikës: Por nëse Prishtina dhe Beogradi bien dakord, a do ta pranonte komuniteti ndërkombëtar? A nuk do të krijonte kjo një shqetësim për pasoja në rajon?

Amb. Frank Wisner: Një ide e tillë është shumë spekulative dhe hipotetike, pasi mesa di unë, asnjëra nga palët nuk është e interesuar për një zgjidhje që parashikon ndarjen.

Zëri i Amerikës: Deri në vizitën e treshes, qëndrimi amerikan ka qenë se pavarësia është e pashmangshme, por tani Shtetet e Bashkuara po thonë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes palëve. A do të thotë kjo se treshja, ose Shtetet e Bashkuara do të bëjnë presion mbi palën shqiptare që të pranojë më pak se pavarësinë?

Amb. Frank Wisner: Më lejoni ta bëj shumë të qartë: Roli i treshes është që t’u krijohet dy palëve dhe jo treshes mundësi për të shprehur pikëpamjet e tyre dhe pasi ata të hedhin ide mbi tryezë ne do t’i shqyrtojmë dhe të shohim nëse mund të ndërtojmë ura mes dy palëve. Ne nuk po marrim iniciativa, as nuk po paraqesim ide. Ne po i nxisim palët që ta shfrytëzojnë këtë shans dhe të paraqesin idetë e tyre.

Zëri i Amerikës: Po nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje?

Amb. Frank Wisner: Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, ne do t’ja raportojmë një gjë të tillë Sekretarit të Përgjithshëm përmes Grupit të Kontaktit dhe pastaj do të jenë qeveritë e vendeve që do vendosin për pozicionet e tyre.

Zëri i Amerikës: Domethënë 10 dhjetori nuk do të jetë fundi i kësaj rruge, është vetëm një fazë e këtij procesi?

Amb. Frank Wisner: Misioni ynë përfundon me dorëzimin e raportit tek Grupi i Kontaktit dhe Sekretari i Përgjithshëm. Më pas u takon qeverive sovrane të marrin vendimet.

Zëri i Amerikës: Presidenti Bush ka thënë se vjen një moment kur nuk mund të pritet më, lidhur me pavarësinë. A mund të flisni për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara pas 10 dhjetorit?

Amb. Frank Wisner: Unë po flas si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në treshe, për natyrën e misionit dhe mandatin e treshes. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është i njohur dhe i përcaktuar qartë.

Zëri i Amerikës: A mund ta konfirmoni që ky qëndrim është për pavarësinë?

Amb. Frank Wisner: Duhet ta përsëris që sot flas si anëtar i treshes.

Zëri i Amerikës: Në të kaluarën janë vendosur afate dhe më pas janë shkelur për të ardhmen e Kosovës. A ka garanci që këtë radhë kjo nuk do të ndodhë?

Amb. Frank Wisner: Çfarëdo që të thuhet për atë që do të ndodhë pas 10 dhjetorit, apo cili do të ishte rezultati i këtyre fazave, do të ishte spekullim. Por më lejoni të theksoj se ajo që do të ndodhë deri më 10 dhjetor, ose më pas varet shumë nga ajo që palët do të bëjnë gjatë këtyre javëve bisedime. Në një farë mënyre ata do ta përcaktojnë vetë se çfarë do të ndodhë. Ne do t’i ndihmojmë palët për t’i afruar qëndrimet po përgjegjësia për të paraqitur qëndrime u takon palëve. Në fund të fundit nëse ata nuk ka një zgjidhje që të gëzojë një farë mbështetjeje nga të dyja palët, atëherë në të ardhmen cilido qoftë statusi, mosmarrëveshjet e tyre do të vazhdojnë. Kështuqë shpresojmë që ata do të dalin me ide të reja që do të na ndihmojnë ne si ndërmjetës të gjejmë pika të përbashkëta. Të dyja palët na siguruan që do ta marrin seriozisht këtë periudhë negociatash.

Zëri i Amerikës: A mund të flisni pak për statusin e planit Ahtisaari aktualisht?

Amb. Frank Wisner: Plani Ahtisaari mbetet mbi tryezë. Ai gëzon mbështetjen e një numri qeverish. Beogradi e ka kundërshtuar, ndërsa Prishtina e ka pranuar. Ne si treshe u thamë autoriteteve si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë se plani Ahtisaari është mbi tryezë. Nëse secila nga palët do të komentojë mbi të, ne do t’i mirëpresim dhe do t’i dëgjojmë. //kk//

XS
SM
MD
LG