Lidhje

Britania dhe imigrantët nga Evropa lindore

  • Sonja Pejs
  • Londër

Një komision i parlamentit britanik tha se forcimi i rregullave për pranimin e punonjësve imigrantë me aftësi të larta është i paligjshëm dhe i padrejtë dhe mund të nënkuptojë se mijëra vetë do të deportohen. Masa mund të prekë rreth 50 mijë imigrantë, por ata janë vetëm një pjesë e vogël e fluksit masiv të imigrantëve që kanë shkuar për punë në Britani gjatë viteve të fundit, veçanërisht që pas zgjerimit të Bashkimit Evropian në vitin 2004.

Bumi në sektorin e ndërtimeve në Britani mund të jetë nxitur nga një ekonomi e fortë, por po realizohet nga punëtorët e huaj.

Statistikat e qeverisë britanike tregojnë se mbi 2,5 milionë punonjës të huaj janë regjistruar në Britani që në vitin 2002.

Ndër ta, grupi më i madh janë polakët, një prej të cilëve është Zbignjev Svik.

"Kur erdha këtu, ditët e para e kisha shumë të vështirë, pasi më merrte malli për familjen. Kur fillova punë, punoja nga mëngjesi në darkë dhe mendoja vetëm për punën".

Zbignjevi, që shkurt e thërrasin Zibi, erdhi fillimisht për një kurs kualifikimi, por qëndroi, gjeti punë në ndërtim dhe riparime shtëpish, solli familjen dhe pas disa kohësh hapi biznesin e tij.

Mbi 220 mijë punëtorë polakë u regjistruan në Britani vitin e kaluar. Në total, mbi 700 mijë të ardhur nga Evropa Lindore janë vendosur në Britani që nga zgjerimi i Bashkimit Evropian në vitin 2004. Statistikat e përpiluara nga agjencia qeveritare Regjistri Kombëtar i Sigurimeve, nuk përfshijnë numrin e emigrantëve që janë larguar nga Britania që nga ajo kohë.

Hugo Brady i Qendrës për Reforma Evropiane thotë se punëtorët imigrantë janë lokomotiva e bumit ekonomik të Britanisë.

"Faktikisht imigracioni i pas zgjerimit të vitit 2004 ka qenë një fakt që u ka shërbyer të gjithëve. Nuk mund të gjej një shembull në Evropë ku nuk ka sjellë përfitime".

Pjesa më e madhe e imigrantëve gjejnë punë që nuk kërkojnë kualifikim – në komunale, kopshtari, mirëmbajtje rrugësh.

Andrew Green, është drejtor i organizatës lobiste Migration Watch.

"Imigracioni polak është një fenomen pozitiv për klasat me të ardhura, pasi gjen një dado me çmim të ulët, mund të frekuentosh restorante të lira, apo të rregullosh kopshtin dhe shtëpinë pa shumë shpenzime. Por nuk është i mirë nëse je hidraulik britanik. Kemi miliona britanikë në moshë të re, të cilët janë shkëputur nga shkolla, nuk janë të kualifikuar dhe nuk kanë punë. Tani e kanë edhe më të vështirë të gjejnë punë, pasi ka qindra mijëra polakë të përgatitur, të rinj, të gatshëm ta bëjnë këtë punë.

Debati vazhdon në këto linja, që nga klubet në mjedisit shtëpiake e deri tek sallat e parlamentit – sa imigrantë duhen lejuar në Britani, sa kohë duhet të rrinë dhe a e ndihmojnë ata ekonominë apo dëmtojnë punësimin e britanikëve.

Hugo Brady i Qendrës për Reforma Evropiane vë në dukje edhe një faktor tjetër.

"Njerëzit gjithmonë do t’i tremben të huajve. Askush nuk e pëlqen idenë që njerëz të një kulture tjetër të vijnë të jetojnë pranë tyre edhe nëse kjo sjell efekte pozitive, edhe nëse ata vetë përfitojnë. Në një mënyrë apo tjetër, paragjykimet nuk zhduken".

Për imigrantët që shkojnë në Britani, përparësia është të arrijnë një jetë më të mirë për veten dhe familjet. Disa kanë në plan të kthehen, të tjerët nuk kanë vendosur ende. Për britanikët, ky mbetet një debat i hapur. //ze//

XS
SM
MD
LG