Lidhje

Cila është trashëgimia e Karl Rouvit?

  • Xhim Malone

Njeriu i njohur si alter egoja politike e presidentit Bush, Karl Rouv, do të largohet nga Shtëpia e Bardhë në fund të këtij muaji për t’iu kthyer jetës private. Zoti Rouv ka qenë strategu politik kryesor i presidentit Bush që kur ky i fundit kandidoi për postin e guvernatorit të Texasit në vitin 1994.

Ky partneritet lindi në arenën e politikës së ashpër të Texasit. Filloi si një vendim largpamës në vitin 1994, kur George W. Bush kandidoi si guvernator i Texasit, vendim i cili në vitin 2000 do ta çonte atë deri në Shtëpinë e Bardhë.

Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, Karl Rouv do të ishte krahu i tij i djathtë në çështjet politike.

“Ne kemi qenë së bashku për një kohë të gjatë. Para 14 vjetësh kur vumë kandidaturën për postin e guvernatorit dhe para më shumë se 10 vjetësh kur filluam të mendonim dhe të planifikonim mundësinë e kandidimit për president. Dhe që atëherë kemi kaluar një kohë interesante dhe plot ngjarje,” tregon vetë zoti Rouv.

Pak kohë pas rizgjedhjes më 2004, presidenti Bush e vlerësoi zotin Rouv si arkitektin e fitores së tij kundër demokratit, John Kerry.

Pas njoftimit se Rouv do të largohet në fund të muajit, presidenti e quajti atë mik të dashur.

“Jemi njohur që kur ishim të rinj që donim t’i shërbenim vendit. Kemi punuar së bashku për të arritur në një pozitë ku mund t’i shërbenim këtij vendi. Prandaj dua ta falënderoj mikun tim. Edhe unë do t’i bashkohem rrugës tënde pas pak kohe.”

Ndërkohë demokratët janë treguar më kritikë ndaj trashëgimisë së zotit Rouv. Senatori demokrat dhe kandidati për president Barak Obama tha se zoti Rouv ishte arkitekti i një strategjie që e ka lënë vendin më të ndarë se asnjëherë tjetër.

Demokratët janë të kënaqur që ai largohet sepse Rouv ishte faktor në humbjen e tyre gjatë zgjedhjeve presidenciale të viteve 2000 dhe 2004 si dhe në zgjedhjet e kongresit në vitin 2002.

Megjithatë, zoti Rouv mori një pjesë të fajit, për humbjen e zgjedhjeve në Kongres dhe kjo u hapi rrugë vlerësimeve të ndryshme nga ana e ekspertëve rreth aftësive të tij politike.

Leri Sabato drejton Qendrën e Politikës në Universitetin e Virxhinias.

“Nuk ka dyshim se Karl Rouv ka pasur shumë pushtet dhe ndikim. Ai mezi fitoi garën për zotin Bush në vitin 2000, garë e cila duhet të ishte fituar me lehtësi. Ai fitoi pa problem garën për rizgjedhjen e presidentit në vitin 2004 në një situatë të vështirë. Ai bëri gabime trashanike në zgjedhjet e 2006-s duke i parashikuar ato gabim një ditë para se ato të mbaheshin.”

Rouv, me sa duket, nuk do të aktivizohet në politikë gjatë fushatës së 2008-ës, dhe pa dyshim që kjo mund të mos jetë shumë e këndshme për disa kandidatë republikanë që do të jenë në garë për Shtëpinë e Bardhë, të cilët do të donin ta shfrytëzonin mençurinë e tij politike.

Përveç kësaj, presidentit Bush do t’i duhet t’i kalojë muajt e fundit të presidencës së tij pa njeriun që ai e quajti në një rast “gjeni.”

Por, edhe Rouv u ngatërrua disi në rrëmujën politike gjatë viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë. Demokratët u përpoqën pa sukses ta lidhnin zotin Rouv me nxjerrjen e emrit të agjentes së fshehtë të CIAs, Valeri Plajm, në vitin 2003. Përveç kësaj, demokratët në kongres vazhdojnë t’i bëjnë presion zotit Rouv që ai të dëshmojë për rolin që mund të ketë pasur në përjshkarkimin e nëntë prokurorëve amerikanë vitin e kaluar. //ze//

XS
SM
MD
LG