Lidhje

Qymyrguri, përbërës i rëndësishëm i ekonomisë amerikane


Industria e qymyrgurit ka terhequr vemendje te ndjeshme javet e fundit si rrjedhoje e tragjedise se minierës në Utah ku gjashte minatoreve te bllokuar nga rreshqitja e dheut ende nuk u dihet fati. Kritiket thone se kjo industri eshte e rrezikshme per punonjesit e saj, por edhe per mjedisin, pasi qymyrguri çliron gjate djegies sasi te medha karboni qe e rendojne me teper problemin e ngrohjes globale. Megjithate, ekonomistet thone se qymyrguri eshte nje perberes i rendesishem i ekonomise amerikane dhe pritet te vazhdoje te jete edhe per disa dekada.

Të pakta janë industritë amerikane që kanë një rëndësi aq të madhe për mënyrën amerikane të jetesës sa industria e qymyrgurit.

Jeff Goodell, autor i librit “Big Coal” thotë se vitin e kaluar minatorët nxorën nga nëntoka amerikane 1 presje 1 miliardë tonë qymyrguri.

"Dy faktorët që ndikojnë tek kjo janë ngritja e çmimeve të gazit natyror dhe presioni politik për pavarësi në sigurimin e burimeve energjetike".

Qymyrguri është burimi numër 1 në prodhimin e energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara, dhe siguron furnizimin me energji të pjesës më të madhe të pajisjeve shtëpiake, që nga radioja e deri tek frigoriferët. Në fakt 50 për qind e elektricitetit në Amerikë prodhohet nga qymyrguri, gjë që është e barasvlefshme me afro 9 kilogram qymyrguri në ditë për çdo amerikan. Carol Raulston përfaqëson Shoqatën Kombëtare të Minatorëve.

"Rezervat e mëdha të qymyrgurit në këtë vend janë një avantazh i vërtetë, por arsyeja kryesore janë çmimet e larta të burimeve të tjera energjetike".

Nuk bëhet më fjalë për të njëjtat kushte si në industrinë qymyrgurore të 100 vjetëve më parë. Sot përdoren sonda të fuqishme që realizojnë shfrytëzimin e depozitave më të mëdha. Megjithatë, numri i minatorëve vazhdon të rritet. Në këtë industri janë të punësuar aktualisht 80 mijë minatorë në kushte që disa i përshkruajnë si të vështira dhe të rrezikshme.

Tragjedia e minierës Sago në shtetin e Virxhnias Perëndimore vitin e kaluar u kushtoi jetën 12 minatorëve dhe zgjoi kritika për mungesë kontrolli nga qeveria. Por analisja e industrisë Ellen Smith thotë se masat e kontrollit qeveritar po forcohen.

"Qeveria nuk i mbyll sytë. Nuk po them se i ka mbyllur më parë, por dua të theksoj se tani, në dy-tre vitet e fundit po tregohet më e rreptë".

Kritikët më të mëdhenj të industrisë së qymyrgurit janë mbrojtësit e mjedisit, të cilët e konsiderojnë këtë lëndë si ndotëse. Megjithë përparimin e shënuar në pakësimin e elementëve ndotës, autori Goodwell thotë se qymyrguri përmban kryesisht karbon, i cili shihet nga shumë veta si shkaktari kryesor i ngrohjes globale.

"Qymyrguri i pastër është njësoj si të thuash petulla pa yndyrë. Është diçka që do të na pëlqente të ishte realitet, por nuk është tjetër veçse llafe boshe".

Megjithëse shumë veta mund të mos e pëlqejnë, qymurgurit nuk i ka perënduar dita. Ekspertët e industrisë thonë se eliminimi i burimit më të madh energjetik të Amerikës do të rriste mbi katërfish çmimet e energjisë në Shtetet e Bashkuara. //ze//

XS
SM
MD
LG