Lidhje

Kina një vit para Lojrave Olimpike Verore 2008


Kina u angazhua të përmirësojë të drejtat e njeriut dhe të pakësojë kufizimet ndaj medias, duke u paraprirë Lojrave Olimpike Verore të vitit 2008. Një vit para këtij aktiviteti të madh, gazetarët në Pekin kanë shprehur dyshimet për mbajtjen e këtyre premtimeve.

Ka mbetur më pak se një vit deri në ngjarjen më të rëndësishme sportive në botë. Kinezët thonë se janë të gatshëm të presin atletët, spektatorët dhe gazetarët nga e gjithë bota.

Në të gjithë aktivetetet ku merr pjesë media në Kinë, rojat shtetërore të sigurisë i mbajnë nën vëzhgim gazetarët e huaj. Por rregullat për gazetarët po ndryshojnë. Vitin e kaluar ishte e paligjshme të intervistoje qytetarë kinezë në rrugë pa lejen e policisë vendase. Për të fituar të drejtën e organizimit të Lojrave Olimpike, Kina hoqi kufizimet ndaj medias, për t’iu afruar normave ndërkombëtare. Ndërsa në janar, autoritetet thanë se qytetarët kinezë do të lejoheshin përkohësisht që ta merrnin vetë vendimin për t’iu përgjigjur ose jo gazetarëve të huaj.

Megjithatë së fundmi organizata Gazetarët pa Kufi për lirinë e medias mbajti një konferencë të shkurtër shtypi në kryeqytetin kinez. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës, Robert Menard kritikoi dështimin e Kinës për të plotësuar premtimet për Lojrat Olimpike, duke përmendur një numër të madh shkeljesh të të drejtave të njeriut dhe burgosjen e gazetarëve kinezë.

“Ne jemi këtu në Kinë sepse tani një vit para Lojrave Olimpike dhe donim t’i kujtonim qeverisë kineze se çfarë premtimesh mori para gjashtë vjetësh në Moskë. Lojrat Olimpike do të ndihmojnë për të respektuar lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut”.

Shqetësimi i Gazetarëve pa Kufi rezultoi i justifikuar, kur nën hijen e Komitetit Organizator të Lojrave Olimpike, policia lokale ndaloi mbi 12 gazetarë të huaj që po pasqyronin një aktivitet.

Të indinjuar nga shkelja flagrante për ligjet e reja të shtypit, gazetarët u përplasën me policinë.

Gazetarët ishin nga Evropa, Azia, Australia dhe Amerika Latine dhe pas më pak se një ore, u lanë të lirë.

Presidentja e Klubit të Gazetarëve të Huaj për Kinën, Melinda Liu tha se nuk është e befasuar me ndalimin e gazetarëve. Anketa e fundit e organizatës për kushtet e punës tregon se pak ka ndryshuar, pas futjes së rregullave të reja.

“Ndalimet vazhdojnë, ashtu si edhe pengesat për të hyrë në ambjente publike, dhe ndjekjet. Një numër i madh anëtarësh thonë se burimet e tyre janë frikësuar, apo bezdisur, madje edhe janë rrahur dhe sigurish që kjo është shqetësuese”.

Megjithatë Yet Zhong Xin, një ndihmës professor gazetarie në Universitetin Renmin është optimiste se liria e medias në Kinë po përmirësohet. Ajo thotë se është e rëndësishme që oficerët e rendit të dinë që rregullat kanë ndryshuar, që ata të marrin njohuri për ligjet e reja.

“Është e nevojshme që të bëhen shpjegime vazhdimisht, të jepen udhëzime, veçanërisht për të gjitha nivelet e qeverisjes lokale. T’u thuhet që po veprojnë gabim. Është shumë e rëndësishme”.

Për momentin në Pekin veprojnë më pak se një mijë gazetarë të huaj dhe organizatorët e Lojrave Olimpike kanë 12 muaj kohë për t’u përgatitur. 20 mijë gazetarë të tjerë të huaj pritet të shkojnë për të njoftuar në gjithë botën për lojrat olimpike. //ze//

XS
SM
MD
LG