Lidhje

Naftësjellësi Burgas-Aleksandropolis dhe shanset e tij për sukses

  • Barry Wood

Në fillim të këtij viti, Greqia, Bullgaria dhe Rusia ranë dakord të shpenzojnë mbi 1 miliard dollarë për ndërtimin e një naftësjellësi 230 kilometra të gjatë, që do të fillonte nga porti bullgar i Burgasit në Detin e Zi e deri në Aleksandropolis të Greqisë, në bregdetin e Mesdheut. Pas ndërtimit të naftësjellësit në vitin 2011, do të pakësohet numri i anijeve cisternë që do të kalojnë nëpër ngushticën e Bosforit.

Për projektin e naftësjellësit Burgas - Aleksandropolis ka mbi një dekadë që diskutohet. Por kërkesa e madhe për naftë dhe rritja e çmimeve të saj po i japin këtij projekti një shtytje vendimtare. Nëse planet shkojnë sipas parashikimit, ndërtimi duhet të fillojë në vitin 2008 ndërsa në vitin 2011 tubacioni do të jetë vënë punë. Vitet e fundit në Azinë Qendrore janë zbuluar rezerva të konsiderueshme nafte dhe transportimi me anije cisternë përmes Detit të Zi është një nga rrugët kryesore për ta sjellë këtë naftë në tregjet europiane dhe amerikane.

Projekti do të kushtojë mbi 1 miliard dollarë. Kompania e tubacionit do të jetë pronë e firmave ruse në 51 përqind të saj ndërsa nafta do të vijë kryesisht nga Rusia.

Por disa analistë janë të shqetësuar se ky naftësjellës do të bëjë që Rusia të kontrollojë më fort tregun europian të energjisë. Mihalis Angelopullos, zyrtari më i lart qeveritar në Greqinë Lindore, nuk mendon se ky është një shqetësim i justifikuar. "Nuk mendoj se duhet të kemi frikë që Rusia me 51 përqind të pronësisë do të dominojë ose përcaktojë politikën tonë. Ne jemi pjesë e Bashkimit Europian. Kjo është një nismë e Bashkimit Europian për të siguruar energji."

Angelopullos dhe qeveria e Athinës po i bëjnë një reklamë të madhe këtij naftësjellësi. Sipas tyre, ai do të krijojë vende pune dhe do të sjellë biznesin aq të nevojshëm për këtë rajon që ka mbetur prapa ekonomikisht dhe që ndodhet vetëm pak kilometra nga kufiri me Turqinë.

Por ky projekt është pritur edhe me kritika në Aleksandropolis. Haralampos Samurkasidis, pronar hoteli, thotë se nuk i pëlqen ideja e ndërtimit të një terminali nafte aq pranë. "Ekonomia në Aleksandropolis bazohet te turizmi, peshkimi dhe bujqësia. Një katastrofë e mundëshme ekologjike do të kishte një ndikim të madh negativ mbi këta tre sektorë."

Mbështetësit e projektit thonë se po tregohen të kujdesshëm për të garantuar se nuk do të ketë probleme të mjedisit. Ata theksojnë se cisternat me naftë do të ngarkohen në një terminal që do të jetë deri në 10 kilometra larg bregdetit.

Nikolas Aleksandris është kryebashkiak i qytetit dhe mbështetës i projektit. "Ne mendojmë se naftësjellësi do të ndihmojë dhe forcojë qytetin e Aleksandropolisit. Ai do të na ndihmojë për ta rreshtuar këtë qytet në linjën e parë të qyteteve për nga rëndësia ekonomike."

Naftësjellësi mund t’i japë Greqisë 30 milion dollarë në vit të ardhura nga tarifat e tranzitit dhe qeveria ka premtuar se këto të ardhura do të përdoren në Trakën lindore. Ka parashikime se popullsia e qytetit mund të dyfishohet brenda 10 vjetësh duke arritur në 150 mijë banorë.

Por tubacioni Burgas - Aleksandropolis mund të ketë konkurrentë. Ekziston një propozim për një naftësjellës 900 kilometër të gjatë nga Burgasi për në Vlorë, i cili do të kalonte nëpër disa terrene malore të Maqedonisë. Disavantazhi i këtij propozimi është se ky naftësjellës do të ishte më i gjatë dhe më i shtrenjtë se sa ai Burgas - Aleksandropolis.

Një variant i tretë është akoma më i gjatë, një tubacion prej 1800 kilometrash nga Konstanca e Rumanisë përmes Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë e që përfundon në Itali. Sipas këtij projekti, për gjysmën e distancës do të përdoreshin linjat ekzistuese.

Vasilis Çoravas i Dhomës së Industrisë për qytetin Aleksandropolis, thotë se linja që kalon nëpër Greqi është më e shkurtër dhe përshkon një territor fushor. "Mendoj se ky naftësjellës do të jetë më i leverdisshmi midis tre varianteve që janë aktualisht në tryezë për të sjellë naftën ruse në tregjet perëndimore."

Naftësjellësi përmes Greqisë ka edhe një avantazh të madh: një kompani nafte e Rusisë ka premtuar tashmë dërgimin e naftës nga Burgasi për në Aleksandropolis. //ii

XS
SM
MD
LG