Lidhje

Shqipëri: PS propozon reforma konsensuale në sistemin e drejtësisë


Ndërhyrja ligjore në sistemin e drejtësisë me fillimin e stinës së re politike e parlamentare konsiderohet tashmë një fakt i mirëqenë. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse angazhimi verbal do të përkthehet lehtësisht e pa probleme në një aksion konkret. Socialistët hodhën sot hapin e parë duke i ofruar shumicës propozime konkrete.

Sekretari për çështjet ligjore Fatmir Xhafa deklaroi se opozita është e gatshme për ndërtimin e një procesi bashkëpunimi parlamentar për refromën në drejtësi: "Ngritjen e një Komisioni parlamentar të përkohshëm për reformën në drejtësi. Në funksion dhe në mbështetje të këtij komisioni parlamentar sugjerojmë: të ngrihet e funksionojë një Komision Ekspertësh vendas të pavarur me përbërje juristësh të shquar. Në mbështetje të Komisionit Parlamentar dhe vecanërisht të Komisionit te Ekspertëve të sigurohet kontributi efektiv i ekspertëve të misioneve të asistencës së BE (Euralius – për gjysorin, Pameca – për policinë gjyqsore etj) dhe SHBA (OPDAT-i)".

Komisioni parlamentar sipas zotit Xhafa duhet të përcaktojë principet bazë mbi të cilat do të ndërtohet reforma, çështjet themelore kushtetuese e ligjore për të cilat është e domosdoshme fryma konsensuale si dhe modalitet e instrumentat mbi të cilat do të realizohet proçesi në rrafshin teknik.

Ndërsa ekspertët duhet që përmes një analize të sistemit të ofrojnë propozimet e nevojshme për amendamente kushtetuese e ligjore si dhe veprimet institucionale e fiskale që duhen realizuar si komponente të reformës në sistemin e drejtësisë. Një nga cështjet delikate pritet të jetë ajo e Prokuorit të Përgjithshëm. Zoti Xhafa nuk u shpreh në mënyrë specifike por ai tha se si në rastin e debatit për ligjin e ri të Prokurorisë në Maqedoni, mund të kërkohet një asistencë konkrete nga Komisioni europian dhe ai i Venecias. Edhe shumica duket se tashmë për cëhstjen e Prokuorit nuk preferon më një lëvizje të njëanshme.

Varianti që qarkullon duket ai i ndërhyrjes për të kufizuar mandatin e kreut të Prokurorisë, por edhe ky moment nuk pritet të kalohet lehtë pasi përvec kohëzgjatjes së mandatit do të duhet të bëhen edhe një sërë ndryshimesh të tjera për mënyrën e shkarkimit të tij. Sipas socialistëve refroma duhet të ketë si bazë pavarësinë e sistemit: "Principi ynë bazë është se çdo reformë në sistemin e drejtësisë duhet të synojë të largojë ndikimin politik nga gjyqësori e prokuroria, ta bëjë këtë sistem efiçent dhe sa më pak të prekshëm nga ndërhyrjet e njerëzve të veshur me pushtet, apo të njerëzve që mund të paguajnë dhe të blejnë “shërbimin”, tha Xhafa.

Socialistët kanë propozuar gjithashtu prej kohësh realizimin edhe të disa reformave të tjera madhore. Për realizimin e tyre ata kanë kërkuar garanci nga presidenti Bamir Topi, si një gur prove edhe për konsolidimin e marrëdhënieve me kreun e shtetit pas polemikave për zgjedhjen e tij. //rd//

XS
SM
MD
LG