Lidhje

SHBA i ofron Izraelit 30 miliardë dollarë ndihma ushtarake


Shtetet e Bashkuara i ofruan sot Izraelit një paketë prej 30 miliardë dollarësh ndihmë ushtarake, e para e këtyre përmasave, duke forcuar pozitat e aleatit të tyre më të fortë në Lindjen e Mesme. Marrëveshja e nënshkruar në një ceremoni në Jeruzalem përbën një rritje prej 25 për qind të ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, nga 2.4 miliardë në vit në 3 miliardë gjatë 10 viteve të ardhshme.

Nicholas Burns, nënsekretari i shtetit për çështje politike dhe Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Aharon Abramovitz e nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për ndihmën në një ceremoni në Jeruzalem.

“Shtetet e Bashkuara sigurisht e kuptojnë se Izraeli është në një rajon që paraqet gjithnjë e më shumë rrezik. Dhe kur Sekretarja e Shtetit deklaroi para dy javësh se do t’i jepte këtë ndihmë Izraelit ajo vuri në dukje faktin se Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe shumë nga miqtë tanë në botën arabe përballen me një situatë ku Irani po ngre krye dhe po përpiqet të zhvillojë aftësitë bërthamore, si edhe të zgjerojë ndikimin e vet në Lindjen e Mesme”.

Paketa kishte si qëllim të balanconte planet amerikane për t’i ofruar Arabisë Saudite armë të përparuara dhe sisteme ajrore që do të përmirësonin forcën ajrore të vendit. Izraeli ka thënë se nuk ka kundërshtim për ndihmën amerikane ndaj Arabisë Saudite, që u akordua në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të forcojnë vendet arabe të moderuara përballë ndikimit në rritje të Iranit. Guvernatori i Bankës së Izraelit, Stanley Fisher, e vlerësoi ndihmën amerikane.

“Ne kemi një ngarkesë të madhe me mbrojtjen që përbën rreth 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe fakti që Shtetet e Bashkuara na ndihmojnë për të mbuluar një pjesë të mirë të nevojave tona të mbrojtjes, veçanërisht pjesën që ka të bëjë me blerjen e paisjeve ushtarake amerikane, është një element i rëndësishëm i buxhetit”.

Ndihma ndaj Izraelit u finalizua në qershor në Washington mes Presidentit Bush dhe kryeministrit izraelit Ehud Olmert, i cili ka thënë se rritja e ndihmës ushtarake për Izraelin do të garantonte epërsinë e tij strategjike pavarësisht nga rritja e ndihmës për vendet arabe të rajonit.

Shtetet e Bashkuara prej vitesh kanë ndihmuar Izraelin dhe Egjiptin, i cili në vitin 1979 u bë shteti i parë që vendoste paqen me Izraelin. Egjipti merr aktualisht 1.3 miliardë dollarë ndihma amerikane në vit për ushtrinë.

Paketa nuk është miratuar ende nga Kongresi, por zoti Burns tha se mendonte se nuk do të kishte kundërshtim në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat për ndihmën ndaj Izraelit. //iç

XS
SM
MD
LG