Lidhje

Administrata amerikane i del përsëri në mbrojtje luftës në Irak

  • Skot Sterns

Administrata e Presidentit Bush vazhdon t’i dalë në mbrojtje luftës në Irak, në prag të raportimit muajin e ardhshëm në Kongres lidhur me përparimin e bërë atje. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Skot Sterns, dy ditë pas sulmit me bombë që la të vrarë të paktën 400 irakianë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Snou, i doli në mbrojtje luftës në Irak, në një fjalim që mbajti në Nju Jork:

Ndërsa Presidenti Bush pushon në shtëpinë e tij në Teksas, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, shkoi në Nju Jork, për të theksuar edhe një herë planet e administratës, për arritjen e suksesit në Irak. Në një fjalim që mbajti në Institutin Studimor Hudson, zoti Snou tha se debati në Uashington nuk duhet të zhvillohet lidhur me gjetjen e rrugëve për t’u larguar nga Iraku, por se si të fitohet lufta atje.

"Vendosja e një demokracie të qëndrueshme në Irak, do të shërbente si një përgënjeshtrim i filozofisë, mjeteve dhe metodave të lëvizjeve terroriste. Terroristët po bëjnë ç’është e mundur, nëpërmjet të përdorimit të armëve, apo të instrumenteve të tjera të terrorit, në përpjekje për të argumentuar në mbarë botën, se ata ndjekin rrugën më të mirë. Në të kundërt, ata do të poshtëroheshin, ngaqë njerëzit do t’u thonin, “Na vjen keq, por ju e keni patur gabim”.

Zëdhënësi Snou tha se vendimi i Presidentit për të dërguar një numër më të madh trupash në Irak këtë vit, po fillon të tregojë shenja përparimi, pavarësisht nga ajo që ai pranon se janë sfida të konsiderueshme në fushën politike dhe atë të sigurisë.

Sulmet me kamiona bombë të së martës në dy fshatra veriore ishin sulmet më të koordinuara vdekjeprurëse në Irak, që nga koha e fillimit të ndërhyrjes ushtarake amerikane atje, më tepër se 4 vjet më parë.

Ministria e Brendshme irakiane tha se të paktën 400 njerëz u vranë në ato sulme. Komanda ushtarake amerikane në Bagdad fajësoi Al-Kaidën për sulmet, duke shtuar se ato kishin si synim të minonin përparimin që po bëjnë atje forcat amerikane dhe ato irakiane.

Përparimi në Irak do të jetë çështja kryesore në raportit që do të paraqesë më 15 shtator Presidenti para Kongresit, në një kohë që anketimi më i fundit i zhvilluar nga rrjeti NBC tregon se mbi dy të tretat e amerikanëve nuk janë dakord me mënyrën se si po e trajton ai luftën.

Opozita demokrate në Kongres po kërkon me këmbëngulje caktimin e një afati për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. Ky propozim nuk arriti të realizohej disa muaj më parë, kur një numër i mjaftueshëm ligjvënësish, përkrahës të Presidentit, ranë dakord që t’i lihet më tepër kohë planin të tij për arritjen e suksesit në Irak. Por disa nga këta ligjvënës republikanë, mes tyre edhe udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Miç Mekonell, po e bëjnë të qartë, se ata presin që raportimi i muajit të ardhshëm do të ndikojë tek plani i luftës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Snou, është angazhuar në një fushatë, për t’i bindur republikanët se tani nuk është koha për të filluar për ta vënë në dyshim planin e Presidentit. Zoti Snou tha se një dështim i mundshëm në Irak do të përhapte, sipas fjalëve të tij, “valë kaosi” në mbarë rajonin dhe se Amerika do të humbte respektin e aleatëve të saj.

"Eshtë absurde të mendosh se në Shtetet e Bashkuara thjesht do të largoheshin nga Iraku, bota do të ishte një vend më i sigurtë. Një tërheqje e trupave amerikane do të shënonte një fitore për Al-Kaidën, shumë më kritike nga sa ajo që u arrit prej saj më 11shtator të vitit 2001 dhe se do të përligjej parashikimi i Osama Bin Ladenit, se mënyra për t’i mundur amerikanët është që t’i presësh e të tregohesh i duruar , sepse ata nuk do të jenë në gjendje ta çojnë deri në fund misionin e tyre", - tha Snou.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Gordon Xhondroe, tha se ambasadori Rajen Kroker dhe gjenerali David Petreas do të dëshmojnë publikisht para Kongresit, në prag të raportit që do të jepet në shtator. Zëdhënësi Xhondroe tha se të dy zyrtarët do të raportojnë para popullit amerikan lidhur me gjendjen në terren në Irak.//lk

XS
SM
MD
LG