Lidhje

Garda Revolucionare e Iranit mund të konsiderohet si organizatë terroriste


Administrata e Presidentit Bush duket se po shqyrton mundësinë e futjes Gardës Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste, duke i hapur rrugën sanksioneve kundër degës elitë të ushtrisë. Zyrtarët amerikanë nuk kanë konfirmuar njoftimet se Washingtoni mund ta deklarojë këtë vendim së shpejti, por e ka bërë të qartë se administrata do që të shtojë presionin ndaj Iranit.

Garda Revolucionare e Iranit, me 125 mijë anëtarë është dega elitë e ushtrisë së vendit. Ajo u fuqizua gjatë luftës Iran-Iraq në vitet 1980, kur anëtarët e saj u vetësakrifikuan për të mbrojtur vendin. Garda e sheh veten si mbrojtëse të revolucionit iranian. Por Patrick Clawson i Institutit të Washingtonit për politikën e Lindjes së Afërt ka një pikëpamje tjetër. “Garda revolucionare është shndërrruar praktikisht në një organizatë kriminale që mbush xhepat nga korrupsioni dhe aktivitetet e shumta të biznesit. Po ashtu, ajo është kthyer në një instrument kryesor për veprimtaritë agresive të Iranit që po destabilizojnë rajonin”.

Mes këtyre aktiviteteve thonë zyrtarët amerikanë është furnizimi me armë i fraksioneve në luftën e Irakut, kryesisht milicitë shiite. Ushtria amerikane ka treguar armë dhe pjesë përbërëse bombash të cilat thotë se janë futur kontrabandë nga Irani dhe që ishin përdorur për të vënë në shënjestër trupat amerikane.

Në mënyrë të veçantë, bombat në anë të rrugës besohet se vijnë nga Irani. Kjo është një nga arsyet, sipas njoftimeve të shtypit që administrata e Presidentit Bush ka në plan ta fusë Gardën në listën e organizatave të huaja terroriste. Zyrtarët amerikanë nuk kanë pranuar t’i konfirmojnë raportet, por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack u përgjigj në një konferencë për shtyp. “Ne po përballemi me Iranin në një numër frontesh, në shumë fusha beteje, nëse mund të shprehemi kështu. Ne po i kundërshtojmë veprimtaritë e Iranit për armatime dhe mbështetje materiale ndaj grupeve që luftojnë trupat tona. Ne po përballemi me ta në terren në Irak, me ushtrinë tonë. Ne po përballemi me Iranin në rrugë diplomatike, në arenën ndërkombëtare lidhur me programin e tyre bërthamor”.

Futja e Gardës në listën e organizatave terroriste do të ishte hera e parë që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin një veprim të tillë kundër forcave të armatosura të një qeverie të huaj. Një lëvizje e tillë, pason debatin nëse aktivitetet e gardës drejtohen nga qeveria iraniane. Ja ç’thotë Patrick Clawson. “Ndërsa Garda Revolucionare e përdor statusin e saj të veçantë për të fshehur rolin e qeverisë në furnizimin me armë të kryengritësve, qeveria amerikane e kthen këtë avantazh në disavantazh duke u thënë se nëse pretendojnë që janë të shkëputur nga qeveria qendrore, atëherë do t’u vendosen kufizime që nuk do t’i viheshin një agjencie qeveritare”. Mes këtyre kufizimeve janë bllokimi i llogarive financiare dhe pasurive të tjera të kontrolluara nga Garda Revolucionare. Ndërkohë, zyrtarët e Gardës në Teheran njoftohet se i kanë shpërfillur paralajmërimet e Uashingtonit. //rd//

XS
SM
MD
LG