Lidhje

Peru: Dëshpërimi pllakos banorët e zonave të tërmetit


Qeveria peruane po bën thirrje për qetësi, ndërsa punënjësit e shpëtimit përpiqen t’u dërgojnë ndihma të mbijetuarve nga tërmeti i së mërkurës, që shkaktoi të paktën 510 të vdekur.

Presidenti Alan Garcia bëri dje thirrje për durim, ndërsa njerëzit shprehën zemërim për ritmin e përpjekjeve të shpëtimit dhe turmat sulmuan kamionët me ndihmat e emergjencës në rajonet e goditura nga tërmeti.

Presidenti Garcia vizitoi rajonet e shkatërruara nga tërmeti me magnitudë 8 ballë, që shkaktoi dëme të mëdha në brigjet e Perusë qendrore. Presidenti tha dje se ai e kuptonte gjendjen e dëshpëruar të njerëzve, por premtoi se askush nuk do të vdiste nga uria dhe nga etja.

Po ashtu dje, një tjetër pasgoditje me shkallë 5,9 ballë tronditi vendin, duke mbjellë ndjenjën e panikut, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët përpiqeshin në kushte shumë të vështira për gjetjen e të mbijetuarve të mundshëm mes rrënojave.

Mijëra njerëz kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti i fuqishëm që zgjati vetëm dy minuta dhe tani janë të detyruar të flenë jashtë. Rreth 1 mijë e 500 vetë janë plagosur dhe po ndeshen me vështirësinë e gjetjes së kujdesit mjekësor. Dëmtimi i rrugëve i pengon punonjësit e shpëtimit të shkojnë në zonat të goditura më rëndë, si Pisko dhe qytete të tjera port në brigjet qendrore të Perusë.//lk

XS
SM
MD
LG