Lidhje

Objekte për të varfërit në një ekspozitë të veçantë të Nju Jorkut


Kur flitet për modelin apo konstruksionin e një malli zakonisht kemi të bëjmë me produkte të teknologjisë së lartë dhe me çmim të lartë. Por një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Konstruksionit në Nju Jork është përqëndruar në mënyrat për të zgjidhur nevojat e të varfërve. Ekspozita quhet “Modele për 90 për Qindshin tjetër” dhe nënkupton produkte që do t’i shërbenin 90 për qind të popullatës me të ardhura të ulëta:

Kombet e Bashkuara thonë se 90 për qind e popullsisë së botës nuk ka para të mjaftueshme për të blerë as edhe mallrat më të domosdoshme. Jeta është një përpjekje e pafund për të siguruar ujë, ushqim, strehim dhe karburant gatimi të mjaftueshëm për të mbijetuar. Ekspozita në natyrë e organizuar nga Muzeu Cooper Hewitt përmban objekte që përmbushin nevojat e kësaj popullate si dhe mjete të tjera për të përmbushur nevojat arsimore, shëndetësore dhe për punë. Cynthia Smith është punonjëse e muzeut: "Artikujt e paraqitur në ekspozitë mund të kenë një ndikim real mbi jetën e njerëzve. Ato mund të përmirësojnë, por edhe të shpëtojnë jetë njerëzish."

Në mjetet e transportit, është paraqitur biçikleta Boda, e projektuar për të mbajtur ngarkesa të mëdha ose për dy pasagjerë. Ndërsa për të sjellë ujë në shtëpi, shërben bidoni Q-drum. "Ka një formë të rrumbullakët me vrimë në mes. Dhe në vend që ta mbash mbi kokë ose ta ngarkosh në karrocë dore, mund ta rrokullisësh në tokë."

Një thurje me kashtë ndihmon për të filtruar ujin e marrë nga një pellg. Një tjetër objekt i ekspozuar është thurur me fije ndriçuese që ushqehen me energji diellore dhe ndihmojnë për të lexuar apo punuar natën, në mungesë të energjisë elektrike. Po ashtu janë ekspozuar mikro-sisteme për vaditje në kushte thatësire. "Sistemi vihet në përdorim nga energjia e të ecurit dhe thith ujë nga nëntoka. Kushton rreth 40 dollarë. Sot ka në përdorim rreth 2 milionë mjete të tilla. Vetëm në Bangladesh një mjet i tillë ka rritur të ardhurat neto me afro 1 presje 4 miliardë dollarë."

Sergio Palleroni është profesor arkitekture që shpik artikuj dhe mjete për komunitete të varfëra. Tenxherja e tij me presion, e ushqyer me energji diellore është prodhuar me metal të ricikluar dhe bazohet tek i njëjti parim që ndiqnin grekët e lashtë për t’u vënë flakën anijeve armike: "Parimi është të përqëndrohen rrezet e diellit në një pikë, në formë të koncentruar dhe duke ndriçuar mbi sipërfaqen e zezë, do ta nxehin. Tenxherja duhet lëvizur nga janë rrezet e diellit duke e bërë këtë praktikisht një sobë efektive."

Të tjera objekte të ekspozuara përfshijnë motorçikleta që mund të çojnë internetin nga një fshat në tjetrin si dhe mobilje të ndërtuara me dru të nxjerrë nga prurjet e uraganit Katrina. //ii

XS
SM
MD
LG