Lidhje

Rritja ekonomike e Kinës ndryshon modelet e tregtisë në mbarë botën

  • Jela Franceschi

Shumë analistë thonë se rritja ekonomike e jashtëzakonshme e Kinës po bën që të ndryshojnë modelet e tregtisë në mbarë botën. Megjithëse disa vëzhgues mendojnë se politikat tregtare dhe monetare të Kinës po krijojnë çrregullime të tregjeve, të tjerë thonë se përkundrazi, ato janë shpesh të dobishme si për rajonet e industrializuara ashtu edhe për ato më pak të zhvilluara.

Të gjithë e dinë se Kina po zhvillohet me shpejtësi. Për më shumë se dy dekada me radhë, ritmet e rritjes së saj janë mesatarisht 9,5 përqind në vit. Sipas disa vlerësimeve, përmasat e ekonomisë kineze janë të dytat në botës pas ekonomisë amerikane. Kina ka sot rezervat më të mëdha valutore të botës – më shumë se 1,3 miliard dollarë. Është vendi me volumin e tretë më të madh tregtar të botës dhe vazhdon të jetë e para përsa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.

Shumë analistë e masin fuqinë ekonomike të Kinës me faktin që ajo punëson rreth 25 milion njerëz në vit. Është njësoj sikur ekonomisë botërore t’i shtosh çdo vit një vend të industrializuar me përmasa mesatare.

Eksperti i ekonomisë Michael Schiffer pranë Fondacionit Stanley, i cili merret me çështjet e bashkëpunimit ekonomik dhe politik shumëpalësh, thotë se rritja e Kinës ka çuar në lindjen e një ndarjeje të re globale të punës dhe rezultatet janë si pozitive edhe negative. "Tregu i jashtëzakonshëm i punës në Kinë ka patur një efekt të thellë në ndryshimin e modeleve të tregtisë globale. Ne po shikojmë ndryshime përsa i përket vendit ku prodhohen mallrat, po shikojmë në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Japoni më tepër përqendrim të produkteve të teknologjisë së lartë dhe prodhimin në Kinë të shumë mallrave industriale. Pra po përjetojmë një riorganizim ekonomik global që është në rrëmujë të plotë dhe kjo krijon një farë ankthi sepse është shumë e vështirë të gjesh me saktësi se në cilin drejtim po shkojnë gjërat."

Për të ruajtur ritmet e kësaj rritjeje fenomenale, Kina ble sasi gjigande lëndësh të para. Ky vend përfaqëson rreth 5 përqind të ekonomisë botërore por konsumon rreth 20 përqind të sasive globale të aluminit dhe të bakrit, rreth 30 përqind të çelikut, të mineralit të hekurit dhe të qymyrit si dhe 45 përqind të çimentos që prodhohet çdo vit në botë.

Eksperti Ronald McKinnon i Universitetit Stanford thotë se uria e Kinës për lëndë të para po u sjell përfitime një numri vendesh. "Kjo po sjell qysh tani ndryshime gjigande për vendet e Azisë Lindore. Por blerja nga Kina të lëndëve bazë në tregjet botërore ka qenë me shumë leverdi për Amerikën Latine. Vende si Kili, Argjentina dhe Brazili eksportojnë mjaft lëndë të para në Kinë. Vitet e fundit nuk ka patur kriza ekonomike në asnjë vend të Amerikës Latine."

McKinnon shton se pasurimi i Kinës po ndikon edhe në praktikat globale të kreditimit. Për shembull, thotë ai, ndryshe nga Banka Botërore, Pekini u jep kredi të shumta vendeve në zhvillim pa u vënë kushte politike. "Ata janë më të paanshëm politikisht në kreditë që u japin vendeve të ndryshme. Ata ndërtojnë në këto vende rrugë, centrale elektrike dhe porte të rinj sepse duan të marrin prej tyre lëndë të para. Ata nuk duan t’ja dinë për politikën e vendeve ku investojnë. Pikërisht për këtë arësye, afrikanët jo vetëm nuk i refuzojnë investimet kineze, por e ndjejnë veten më mirë me to se sa me investimet e shumë qeverive perëndimore."

Por Shtetet e Bashkuara dhe Europa i kritikojnë këto politika të Kinës.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara paraqitën një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër subvencioneve qeveritare për eksportet kineze dhe kundër praktikave të piraterisë duke vënë trarifa prej 10-20 përqind ndaj disa mallrave kineze.

Uashingtoni ka shtuar gjithashtu presionin ndaj Pekinit që ky ta zhvlerësojë monedhën e tij juanin. Shtetet e Bashkuara thonë se vlera e ulët e juanit, përveç kostos së ulët të fuqisë punëtore, i jep Kinës një avantazh të pamerituar në tregtinë botërore.

Sipas disa ekspertëve, juani kinez duhet të rritet në vlerë të paktën 40 përqind kundrejt dollarit.

Clyde Prestowitz, president i Institutit të Strategjisë Ekonomike në Uashington, thotë se sufiçiti shqetësues tregtar i Kinës me Amerikën u rrit vitin e kaluar në nivelin 233 miliard dollarë dhe zë rreth 30 përqind të deficitit të përgjithshëm të Amerikës. Politika e Pekinit, thotë ai, pasqyron atë të shumicës së vendeve të Azisë Lindore, duke përfshirë Japoninë. "Japonia, Kina, Koreja e Jugut, Tajvani, Singapori, të gjitha këto vende po ndjekin strategji ekonomike me bazë eksportin. Ata përpiqen t’i mbajnë monedhat e tyre nën vlerën reale, kanë që të gjitha ritme të larta kursimi, rreth 50 përqind, investojnë shumë në industritë e eksportit dhe rritja e tyre ekonomike varet në një masë të madhe nga eksportet që bëjnë në Shtetet e Bashkuara."

Sipas ekspertit të Fondacionit Stanley, Michael Schiffer, rritja e suficitit tregtar të Kinës me Shtetet e Bashkuara, një ditë mund të kthehet në një faktor pozitiv për Amerikën. "Nëse një kompani që prodhon një mall me kosto të ulët për ta eksportuar në Shtetet e Bashkuara, për shembull në Tajlandë, shkon dhe e prodhon atë mall në Kinë sepse kostoja në Kinë është më e ulët, kjo nuk ka ndonjë ndikim negativ mbi tregjet amerikane sepse këto vende pune nuk ishin në Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi kjo është me leverdi për konsumatorët amerikanë sepse ky mall që vjen në Shtetet e Bashkuara kushton tani më lirë."

Shiffer thotë se është e vështirë të përcaktosh se kush fiton e kush humbet në biznesin me Kinën. "Kur flasim për korporatat amerikane, për shembull për korporatat shumëkombëshe që i prodhojnë mallrat në Kinë, shpesh lind pyetja: a po përfiton Kina këtu apo kjo është me leverdi për interesat e asaj korporate amerikane? Në këtë rast, kjo mund të jetë me leverdi për Amerikën sepse nënkupton mallra më të lira për konsumatorët amerikanë. Pra çështja është më ndërlikuar se sa të thuash se fitoi ky apo humbi ai vend."

Një problem serioz me zhvillimin super të shpejtë kinez është degradimi dhe ndotja e mjedisit që e shoqëron atë, qoftë brenda Kinës apo në botë.

Sidoqoftë, shumë ekspertë thonë se zhvillimi ekonomik i Kinës pritet të vazhdojë për dekada, gjë që pasqyron kërkesën e ndrydhur prej vitesh të popullsisë së saj gjigante. //ii

XS
SM
MD
LG