Lidhje

Dy gjeneralë britanikë sugjerojnë tërheqjen e trupave nga Iraku


Sipas gazetës londineze Independent, dy gjeneralë të lartë britanikë i kanë thënë kryeministrit Gordon Brown se Britania e ka përfunduar misionin në Irakun jugor dhe se tërheqja e plotë e të gjitha trupave britanike duhet të bëhet pa shtyrje të mëtejshme.

Përpara ndërhyrjes ushtarake në vitin 2003, qëllimi kryesor i ushtrisë britanike ishte të vendoste stabilitetin dhe demokracinë në Irak dhe në gjithë Lindjen e Mesme. Por gazeta Independent në numrin e së dielës thotë se përparësia kryesore tani është një tërheqje e organizuar e cila do të linte të paprekur emrin e ushtrisë britanike dhe nga ana tjetër do të lejonte britanikët të ruajnë statusin si aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara. Këto ndryshime duket se paraqesin një tkurrje drastike të objektivave britanike.

Dy gjeneralë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga gazeta, thanë se do të donin të shihnin pallatin Basra nën kontrollin e Irakut nga fundi i gushtit. Rreth 500 ushtarë britanikë janë stacionuar në pallat i cili është kthyer në objekt sulmi të përditshëm të raketave dhe mortajave.

Nëse tërheqja do të mund të kryhet në javët e ardhshme, atëherë në Aeroportin e Basrës do të mbeten rreth 5 mijë trupa britanike.

Në korrik pas takimit me presidentin Bush, Kryeministri Gordon Brown tha se trupat britanike do të qëndrojnë në Irak deri sa misioni i tyre të ketë përfunduar. Kryeministri po pret të paraqesë në parlament planin e tij të tërheqjes nga Iraku në muajin tetor. Janë mjaft njerëz që presin të shohin tërheqjen e trupave britanike në muajt në vijim, mbas këtij njoftimi.

168 vetë të personelit të shërbimit britanik kanë vdekur në Irak që nga ndërhyrja ushtarake e 2003 dhe lufta nuk ka popullaritet në Britani.

Një tjetër faktor që ndikon në mendimin e qeverisë britanike, është ideja se ushtria britanike është e mbingarkuar. Disa analistë ushtarakë thonë se Britania mund të mbajë trupa për një kohë të gjatë ose në Iark ose në Afganistan, por jo në të dy vendet njëkohësisht.

Shefi i ushtrisë Britanike, General Richard Dannatt, gjatë një vizite tek ushtarët në jug të Afganistanit, i tha radios BBC se trupat në këtë vend, janë të mbingarkuar.

“Ushtria është natyrisht mjaft e ngarkuar dhe kur them se ne nuk mund të dislokojmë më luftanije në momentin që flasim, e bëj këtë sepse ne përpiqemi që të gjejmë një balancë të arsyeshme për jetët e njerëzve tanë mes kohës që u duhet për të zhvilluar aksionet, kohës për përegatitje dhe kohës në garnizone. Faktikisht, tani koha e qëndrimit në garnizon nuk është aq sa duhet të jetë”.

Që nga viti 2001, 70 ushtarë britanikë janë vrarë në Afganistan. Gjenerali Dannatt pret që forcat britanike të qëndrojnë në Afganistan edhe në vitet në vazhdim.//kk//

XS
SM
MD
LG