Lidhje

Afrika Veriore bëhet streha e re e Al-Kaidës. Shqetësohet Pentagoni 


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts thotë se Afrika Veriore është rajoni ku rrjeti terrorist i al-Kaidës është zgjeruar më shpejt se kudo tjetër gjatë muajve të fundit. Deklarata shënoi një ndryshim në pozicionin e Departamentit të Mbrojtjes në krahasim me vitin e kaluar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Al-Pessin, zyrtarët dhe analistët e departamentit të mbrojtjes thonë se shumë gjëra kanë ndryshuar në Afrikën Veriore, megjithatë ende nuk është e qartë nëse al-Kaida do të jetë kërcënim serioz për rajonin.

Në një konferencë shtypi muajin e kaluar, sekretari Gejts u pyet për një raport që ai kishte kërkuar lidhur me vendet ku po përhapet al-Kaida.

“Zona ku ka filluar të shfaqet al-Kaida gjatë muajve të fundit është Afrika Veriore”, - tha zoti Gates.

Kjo deklaratë i çuditi ca njerëz , të cilët kujtonin fjalët e paraardhësit të tij, Donald Ramsfeld, të bëra 18 muaj më parë gjatë një udhëtimi në Algjeri, Tunizi dhe Marok. Ramsfeldit i ishte bërë pyetja nëse al-Kaida mund të vendoset në këtë rajon.

“Secili nga këto tre vende po i trajton punët e tij të brendshme në mënyrë të atillë që e bën këtë pothuajse të pamundur” , - tha Ramsfeld

Por ndryshimi i vlerësimit të Pentagonit ndaj kërcënimit nga Afrika e Veriut nuk i duket çudi ekspertit të terrorizmit Evan Kohlman, i cili publikon faqen e internetit globalterroralert.com.

“Aty ka pasur një zhvillim shumë të shpejtë brenda një kohe fare të shkurtër,” thotë Kohlman.

Ai dhe ekspertë të tjerë të terrorizmit vënë në dukje se grupi kryengritës i Algjerisë, Lëvizja Salafiste për Predikim dhe Luftë, e njohur si G.S.P.C, e ka ndryshuar emrin në “Al-Kaida në Tokat e Magrebit Islamik”.

Shumë ekspertë thonë se ky është aspekti më i dukshëm i ndikimit të ri të al-Kaidës në rajon. Por disa grupe më të vogla i kanë rritur lidhjet me këtë rrjet. Kohlman thotë se lidhjet duken qartë nga një sulm vetvrasës me bombë në Algjeri me 4 korrik i cili shkaktoi vdekjen e 9 ushtarëve. Al-Kaida në Tokat e Magrebit Islamik mori përgjegjësinë për këtë sulm.

“Fakti që ata po përdorin sulmet vetvrasëse me bomba si pjesë e taktikave të tyre, çka është gjë e re për Algjerinë, tregon masën në të cilën konflikti në Irak po ndikon në mentalitetin e algjerianëve dhe nivelin e përkushtimit që kanë ata ndaj al-Kaidës” ,- thotë analisti.

Ndërsa analisti Daniel Benjamin në Institutin Brukings thotë:

“Al-Kaida, për shkak të rrënjosjes në Pakistan dhe suksesit në Irak, është bërë si një markë me të cilën duan të identifikohen të gjithë.”

Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes për Çështjet Afrikane, Teresa Wilan, thotë se Pentagoni po ndjek gjurmët e një përhapjeje të mundshme të ndikimit të al-Kaidës. Wilan thotë se ekziston shqetësimi që një aleancë e re mes grupit algjerian dhe al-Kaidës mund të sjellë më shumë sulme.

“Rrjedha e natyrshme e ngjarjeve do të ishte dëshira, të cilën e kemi parë të shfaqet në Algjeri, fatkeqësisht, dhe ndoshta edhe në vende të tjera, dëshira e al-Kaidës në Tokat e Magrebit Islamik për të treguar aftësitë e veta. Nuk është e paarsyeshme të supozosh se do të ketë një farë dëshire mes këtyre grupeve të reja të tregojnë se çfarë mund të bëjnë në rrethana shumë më dramatike” ,- thotë zyrtarja amerikane.

Evan Kohlman shqetësohet për të njëjtën gjë. Ai thotë se thuajse një e treta e luftëtarëve të huaj që punojnë për al-Kaidën në Irak janë nga Afrika e Veriore.

Ai shpjegon se kjo gjë do të ketë ndikimin e vet, kur këta njerëz të kthehen në vendet e tyre. Por Kohlman thotë, se pavarësisht nga zgjerimi i al-Kaidës në Afrikën Veriore gjatë muajve të fundit, nuk është e qartë nëse ky grup do të ketë përkrahje për të filluar një fushatë të qëndrueshme terrorizmi. Ai thotë gjithashtu se grupi është i ndarë në mendime për sa i përket eksportimit të dhunës në Evropë, apo në vende të tjera.//lk

XS
SM
MD
LG